Zgjedhja e Zana Çelës si drejtoreshë e Teatrit Kombëtar të Operas dhe Baletit në Gusht të 2016-ës, përkoi me nisjen e një ndër momenteve më domethënëse në historinë e institucionit më të rëndësishëm të kulturës në vend.

Që prej ndërtimit në vitin 1953, asnjë ndryshim i dukshëm nuk kishte ndodhur në Teatrin e Operas dhe Baletit, derisa më në fund, nisi procesi i rikonstruktimit të parë dhe rrënjësor të tij.

Ndonëse banorët e Tiranës i kalojnë përbri çdo ditë qendrës kulturore të vendit, për ata që e kanë lidhur jetën me dhomat dhe korridoret e këtij institucioni, nuk ka pasur të njëjtin imazh prej ndërtese – simbol të artit dhe kulturës.

Shndërrimi total i pallatit të kulturës, është drejt përfundimit dhe brenda pak muajve, shfaqjet e artistëve tanë do të rikthehen më në fund në shtëpinë e tyre. Por sot në “Jo Vetëm Modë”, si asnjëherë më parë, drejtuesja Zana Cela, tregoi ambientet e reja të rikonstruktuara të Teatrit të Operas dhe Baletit.

“Kishte 60 vjet që nuk vihej dorë as për tu ndërruar ndonjë karrige, e jo më për të bërë këtë investim kolosal. Puna që është bërë këtu nuk është në një pjesë të madhe të vendeve evropiane. Pllakat e korridorit nuk kanë ndryshuar për të ruajtur identitetin e institucionit”,

tha Çela.

Që prej mbylljes për rikonstruktim, shfaqjet e kalendarit të Teatrit të Operas dhe Baletit, janë zhvendosur përkohësisht në sallën e Pallatit të Kongreseve. Megjithatë, numrin më të madh të aktiviteteve e kanë zënë shfaqjet në tur në qytete të ndryshme të Shqipërisë, por edhe në skenat jashtë vendit.

Axhenda çuditërisht e ngjeshur për një trupë artistësh pa skenën e tyre shtëpi, i ka sjellë shfaqjet e Teatrit të Operas dhe Baletit edhe në qiell të hapur, në sheshet kryesore të vendit.

Shumë shpejt, artistët e operas, baletit dhe ansamblit popullor, do të rikthehen sërish në sallën e pallatit të Operas dhe Baletit.

“Sallat kanë marrë një transformim gati rrënjësor. Tashmë kemi dy kate ballkonesh, të cilët shtojnë jo vetëm kapacitetin e sallës, por edhe përmirësojnë akustikën”,

shtoi Çela ndërkohë që tregonte pamjet e reja të TKOB-së.

/tvklan.al