Shkak mendohet një sherr brenda burgut të Drenovës

Si rrallë herë Korça ishte e rrethuar këtë të enjte me forca të shumta policie.

Shkak ishte i forti i 97-ës në Vlorë, Zani Çaushi. Ai udhëtoi nga burgu i Drenovës për në Gjykatën e Korçës ku do të merrej vendimi lidhur me kërkesën që ai kishte bërë për t’u liruar me kusht.

Por në seancën gjyqësore Myrteza Çaushi është tërhequr përkohësisht nga kërkesa për të dalë nga burgu.

Para gjykatës, Zani i Çoles ka ndërprerë seancën duke thënë se tërhiqet nga kërkesa, pasi sipas tij duhet të ribëhet edhe njëherë llogaritja e viteve të burgut. Avokati i tij ka dhënë arsyet.

“Ka të bëjë me përllogaritjet e viteve të burgimit. Pretendon që një pjesë e paraburgimit nuk i është llogaritur. Pasi të bëhet rillogaritja e pjesës së burgimit, atëherë do të shikojmë çfarë do bëjmë”.

Por televizioni Klan mëson se shkak i tërheqjes së Zani Çaushit, mendohet se është një masë disiplinore e marrë nga burgu i Drenovës kohët e fundit. Myrteza Çaushi është konfliktuar me një person brenda burgut dhe ndaj tij ka një masë disiplinore, e cila është çuar në Gjykatën e Korçës për t’u rrëzuar.

Ligji parashikon që një i dënuar mund të lirohet me kusht nëse ndaj tij nuk ka masë disiplinore dhe pikërisht një sherr brenda burgut ka bërë që Zani Çaushi të tërhiqet.

Tv Klan