Të tjera detaje janë zbardhur nga aksidenti i një ditë më parë në Gramsh, ku një minibus u rrëzua humnerë nga 80 metra lartësi duke shkaktuar vdekjen e 1 pasagjeri dhe plagosjen e 10 të tjerëve përfshirë dhe shoferin.

Korrenspondenti i Klan News në Elbasan, Fatos Salliu ka mundur të mësojë se shoferi Ariol Xhepexhiu 47 vjeç kishte patur luhatje tensioni, e për pasojë kishte humbur drejtimin e mjetit duke bërë devijimin fatal në rrugë.

Për pasojë, minibusi ra në humnerë duke u rrokullisur disa herë. Burime nga grupi hetimor thonë se po hetohet edhe pista e tejmbushjes së minibusit me udhëtarë, pasi kapaciteti i mjetit ka qenë 8 vendësh. Për këtë arsye shoferi 47-vjeçar është arrestuar.

Nga ky aksident humbi jetën 30-vjeçari Ledian Lami dhe mbetën të plagosur shoferi Ariol Xhepexhiu dhe pasagjerët Joana Çuedari 18 vjeçe, Buqe Gaxholli 59 vjeçe, Nafie Rrodhe 61 vjeçe, Enxhi Selimi 25 vjeçe, Kristian Lami 25 vjeç, Ervehe Pasho 55 vjeçe, Gurim Pasho 55 vjeç, Orinda Bollobani 29 vjeçe dhe Selman Rrodhe 75 vjeç. Tre prej tyre janë në gjendje më të rëndë shëndetësore, por jashtë rrezikut për jetën. /tvklan.al