1 mijë euro, një celular dhe një arkë me peshk. Këto ishin dhuratat që mori ish-zv/ministrja e Brendshme, Rovena Voda si shpërblim për ndërhyrjet e saj që një e njohur të merrte një vend në administratën publike.

Mësohet se hetimet kanë nisur që në 2019-n për një çështje tjetër që ende nuk bëhet e ditur ku ka rënë në përgjime avokatja Majlinda Hasani, e cila ushtron profesionin e saj në Durrës. Në 13 Shkurt 2020 avokatja është takuar për herë të parë me zv/Ministren e Brendshme Rovena Voda në Durrës ku i ka kërkuar ta ndihmojë që Florinda Beu, e cila gjithashtu ishte e pranishme në takim, të hyjë në një vend në administratën publike.

Në dosjen e SPAK, thuhet se Voda i ka premtuar se mund ta marrë në punë si specialiste, por edhe si shefe. Madje ish-zv/Ministrja ka telefonuar dikë në Departamentin e Administratës Publike.

Më pas avokatja Hasanaj është përgjuar duke folur me Beun në telefon për të futur në zarf 1 mijë euro. Në këto biseda citohet Florida Beu të thotë se “mos duheshin më shumë para” dhe se “të paktën ta fuste në një vend tamam pune”. Majlindja i është përgjigjur se “leku e hedh ujin përpjetë dhe se Voda përgjigjet menjëherë”.

Më 28 Shkurt të një viti më parë të tre gate janë takuar në Ministri dhe Florida ka aplikuar në 11 vende pune  të ndryshme, por nuk ka fituar në asnjë prej tyre. Në përgjime është fiksuar sërish Florinda Beu të flasë për lekë pasi e ndiente detyrim ndaj zv/Ministres.

Një tjetër takim është filmuar mes tyre në portin e Durrësit ku ish-zv/Ministrja ka marrë si dhuratë një arkë me peshk dhe një celular me vlerë 550 euro. Në dosje thuhet se paratë dhe dhuratat janë dhënë me dëshirë dhe se Voda nuk i ka refuzuar. Të trija gratë akuzohen për ushtrim të ndikimit të paligjshëm të personave që ushtrojnë funksione publike dhe janë lënë në arrest shtëpie nga gjykata.

Tv Klan