Zbardhen detaje nga vrasja e avokatit Ravik Gurra

Zbardhen detaje nga vrasja e avokatit Ravik Gurra

15:45 23/03/2019

Ekzekutimi mafioz i avokatit Ravik Gurra në qendër të Elbasanit është marrë në dorë nga Prokuroria për Krime të Rënda e cila po heton për akuzën e “Vrasjes së funksionarëve publikë”. Prokurori Behar Dibra prej së premtes qëndron në Elbasan ku po kryen veprime hetimore për zbardhjen e ngjarjes. Dibra po heton edhe ngjarje të tjera kriminale të ndodhura në qytetin e Elbasanit siç është edhe përplasja e makinës së policisë në tregun agro ushqimor në Shtator të 2017. 50-vjeçari ishte avokati i fisit Çapja në Elbasan, por dhe i Emiljano Shullazit.

Tv Klan mëson se grupi i hetuesve ka zbardhur dinamikën e ngjarjes. Avokati u ekzekutua i ulur në kafe nga një person që iu afrua qetësisht dhe qëlloi 2 herë me pistoletë me silanciator në drejtim të tij. Më pas ai autori është larguar i ndihmuar nga një automjet tip Mercedes-Benz” që qëndronte në largësi dhe që u gjet i djegur pak minuta pas ngjarjes, në periferi të Elbasanit në afërsi të fshatit Bradashesh.

Në komisariat janë shoqëruar disa persona që pasi janë marrë në pyetje janë lënë të lirë. Mësohet se mbrëmjen e së premtes forca të shumta policie, por edhe reparti special RENEA, kanë ushtruar kontrolle në rrugët dhe lagjet e qytetit të Elbasanit, si dhe në akset nacionale. Hetuesit kanë sekustruar edhe kamerat e lokalit ku ndodhi vrasja, por edhe të bizneseve të rrugës aty pranë për identifikimin e autorit. Burime nga grupi hetimor thanë se vrasja dyshohet se ka qenë e planifikuar dhe është kryer nga profesionistë me pagesë. Për ngjarjen ka pasur reagime në qytetin e Elbasanit. Dhoma e Avokatisë në Elbasan ka ndërprerë shërbimet për tre ditë në shenjë proteste.

Tv Klan

Të ngjashme
UKT