Kushëriri 20-vjeçar: Nuk pashë asgjë, me kapi paniku

Një person i tretë ndodhej në makinën ku udhëtonte Bledar Birçaj i cili u ekzekutua 2 ditë më parë në qytetin e Vlorës në një atentat mafioz. Krahas punonjësit të policisë së antidrogës, Granit Deromema, pasagjer në makinë ishte dhe 20-vjeçari Edison Zeneli, kushëri i viktimës.

Siç duket edhe nga kjo video e marrë nga kamerat e sigurisë i riu ka dalë nga dera e pasme e makinës sapo autorët janë larguar. Ai punon në një furrë buke në qytet dhe sipas policisë nuk rezulton i përfshirë në botën e krimit. Ai është marrë në pyetje por dëshmia e tij nuk i ka ndihmuar hetuesit, pasi në përgjigjet e tij ai është shprehur se nuk kishte parë asgjë pasi po luante në telefon dhe se ndjehej ende i tronditur nga ngjarja.

Ajo që vihet re nga pamjet e kamerave të sigurisë është se pas largimit të autorëve dy pasagjerët nxitojnë të lajmërojnë policisë dhe ambulancën. Qytetarët e ndodhur në vendngjarje hezitojnë ti afrohen makinës së viktimës, ndërsa shfaqen të frikësuar nga të shtënat me armë.

Policia ende nuk ka asnjë të dyshuar si autor të eliminimit të 40-vjeçarit Bledar Bircaj. Shërbimet e policisë kanë bërë shoqërimin e disa personave, por më pas ata janë liruar. Hetuesit po ndjekin pistën e hakmarrjes apo dhe konflikteve të mundshme që viktima të ketë pasur në Spanjë ku kishte jetuar së fundmi.

Tv Klan