Ekspert italiane vijnë javën e ardhshme në vendin tonë

Zhdukja dhe eshtrat e gjetura në makinën e italianit Davide Pecorelli, vijojnë të hetohen nga autoritetet shqiptare, ndërsa edhe policia italiane ka konfirmuar se do të mbërrijë javën e ardhshme në vendin tonë me disa ekspertë. Autoritetet italiane do të ndihmojnë për të identifikuar nëse kockat e gjetura brenda makinë së djegur më 6 Janar i përkasin Davide Pecorellit.

Nga kontrolli i celularëve dhe dëshmitë që kanë dhënë miqtë e 45-vjeçarit në Itali, rezulton se telefoni i tij ishte aktiv edhe dy ditë pas zhdukjes. Konkretisht në datën 7 Janar ai është telefonuar nga punonjësit e tij të cilët janë shprehur se binte zilja, por askush nuk përgjigjej.

Gjithashtu miqtë e tij kanë treguar edhe mesazhet e 45-vjeçarit. Ai ka folur me një prej shokëve, përpara ngjarjes ku shprehej se do kthehej më 10 Janar në Itali dhe se kishte hapur një dyqan në një qendër tregtare në vendin tonë.

Bashkëshortja shqiptare e Davide Pecorellit thotë se ka komunikuar me të deri më 6 Janar. 45-vjeçari qëndroi për dy net në një hotel pranë Pukës dhe më pas teksa po largohej që aty, makina i ka marrë flakë. Në automjet janë gjetur disa kocka dhe sipas policisë ato janë parë nga oficerët një ditë më vonë, pasi kishin transportuar makinën në komisariat. Ngjarja është klasifikuar si aksidentale, por nuk përjashtohen edhe pistat e një ngjarje kriminale, apo zhdukjes me qëllim të 45-vjeçarit.

Tv Klan