Policia e Elbasanit ka arritur të zbardhë dy ngjarje të ndodhura përgjatë muajit Maj, ku u vendos një sasi eksplozivi poshtë një automjeti, si dhe në shkallët e një lokali.

Në pranga kanë përfunduar Gentian Kllogjri, 38 – vjeç dhe Thanas Thoma, 38 – vjeç të dy banues në Elbasan.

Ata dyshohen se më datë 6 Maj, në lagjen ‘Luigj Gurakuqi” kanë vendosur lëndë plasëse në tokë, poshtë makinës në pronësi të Fuat Verzivollit. 300 gramë C4 u gjet poshtë automjetit të tij, Golf 4. Ai u zbulua nga përdoruesi i makinës, pasi në momentin që hapi derën dëgjoi zhurmën e shpërthimit të kapsollës.

Ndërsa më datë 22 Maj, në lagjen “Emin Matraxhiu”, të arrestuarit dyshohen të kenë vendosur lëndë plasëse në  shkallët e një lokali në pronësi të L.D. Edhe në këtë rast ishte vetë pronari që konstatoi lëndën plasëse, rreth 150 gram tritol të vendosura brenda një pakoje, që dyshohet se do të aktivizohej me celular në distancë.

Sipas njoftimit zyrtar të policisë, arrestimet erdhën pas hetimeve intensive të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë e Elbasanit. Aktualisht vijon puna për kapjen e personave të tjerë të përfshirë në këtë veprimtari kriminale. /tvklan.al