Policia ka vënë në pranga Astrit Thaçin, 27-vjeçarin i cili prej disa ditësh në qytetin e Durrësit, Tiranës dhe së fundi në Elbasan, në kërcënimin e armës, ka kryer disa vjedhje me armë e dhunë dhe disa të tjera të mbetura në tentativë.

Arrestimi u krye pas grabitjes së fundit të tij, atë në një pikë argjendarie në Elbasan. Ai u ndalua në një lokal në Kombinat pas punës së përbashkët të policisë së Tiranës, Elbasanit dhe Durrësit.

Në një njoftim për mediat, policia thotë se Thaçi është lindur dhe banues në Durrës. Ai është dënuar më parë me 7 vite burg në Itali për vjedhje me armë. Ndërkohë në Shqipëri, i riu rezulton me precedent të theksuar kriminal për shpërndarje droge dhe në fushën e vjedhjes me dhunë e armë.

Autoritetet bënë të mundur edhe zbardhjen e të paktën 8 grabitjeve të tij, nga këto 3 në Durrës, 4 në Tiranë dhe 1 në Elbasan.

“Në Durrës, në datën 08.02.2020, në lagjen 12, Durrës, është vjedhur me armë zjarri filiali i një banke të nivelit të dytë, ku autori mundi të merrte një shumë prej 100.000 lekësh. Më datë 10.02.2020, në lagjen 13, Plazh, Durrës, nën kërcënimin e pistoletës ka tentuar të vjedhë banesën e shtetasit R. T., duke e plagosur në këmbë. Më datë 11.02.2020, në lagjen nr. 14, Shkozet, Durrës, nën kërcënimin e armës ka vjedhur në një Big Market, një shumë prej 100.000 lekësh dhe steka me cigare”, thotë policia.

“Po ky shtetas, më datë 12.02.2020, në rrugën “Muhamet Gjollesha” pranë Zogut të Zi, Tiranë, ka tentuar të vjedhë në një agjenci turistike. Me datë 12.02.2020, në rrugën “Llambi Bonat” Kombinat , Tiranë, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market. Me datë 13.02.2020, në rrugën “Kongresi i Lushnjës”, nën kërcënimin e armës ka tentuar të vjedhë në një Big Market. Më datë 15.02.2020, në rrugën “Abdyl Frashëri” jashtë banesës së shtetasit R. N., e ka goditur këtë shtetas me sende të forta duke i marrë një shumë prej 300 eurosh dhe një aparat celular Iphone 11 ProMax”, deklaron më tej policia.

Ndërkohë vjedhja e fundit e tij e dokumentuar sipas uniformave blu është ajo në lagjen “Ali Pasha” në Elbasan, ku nën kërcënimin e armës vodhi në një argjendari një sasi bizhuterish.

Në momentin e kapjes atij iu gjetën dhe sekuestruan17 varëse floriri, dy ora dore floriri, 20 byzylykë floriri dhe 51.700 lekë të reja./tvklan.al