Luka Modriç fitoi Topin e Artë, duke lënë pas Cristinao Ronaldon dhe Lionel Messin që u rendit i pesti.

Një fitore bindëse e kroatit që mori pëlqimin si vendi parë prej 79 nga 180 gazetarët e anketës, duke grumbulluar 753 pikë. Për Shqipërinë votoi Besnik Dizdari, i cili preferoi francezin Antoine Griezmann si të parin, Modriç të dytin dhe Ronaldo të tretin, sipas renditjes që publikoi revista “France Football” në numrin special 4 Dhjetorit.

Luka Modriç është i preferuari i Bajram Shalës, përfaqësuesi i Kosovës në këtë votim. Ai renditi të dytin Kylian Mbappen dhe të tretin Cristiano Ronaldon. Modriç ka marrë më shumë pikë nga gazetarët e Europës, Amerikës së Veriut, Azisë dhe Afrikës, Griezmann nga Amerika e Jugut, ndërsa Ronaldo nga Oqeania.

Kurioz është fakti që Lionel Messi nuk është pëlqyer si i pari edhe nga gazetari argjentinas Enrique Wolff. Modriç fitoi Topin e Artë për vitin 2018, duke ndalur hegjemoninë e dyshes Messi –Ronaldo që zgjaste prej 2008.

Tv Klan