Tvklan.al

 ka mundur të mësojë debatin që Kujtim Koxha, autori i masakrës në Mat, ka bërë me punonjësit e Bashkisë para se t’i vriste. Sipas informacioneve, bëhet me dije se shkak është bërë shtrimi i rrugës në fshatin Shëlli. Burimet policore sqarojnë se autori u ka kërkuar punonjësve të Bashkisë që po merreshin me ndërtimin e rrugës, që ta shtronin deri te shtëpia e tij, që ndodhet rreth 10 metra më tej.

Mirëpo, punonjësit e kundërshtuan duke i thënë se planin e rrugës e kishin të përcaktuar dhe nuk mund të vepronin ndryshe. Më pas, mes tyre nisën ofendimet e ndërsjellta dhe konflikti fizik mes Kujtim Koxhës dhe punonjësve të Bashkisë.

Në këtë kohë është çuar nga tavolina Erzen Aliaj ku kanë dalë jashtë lokalit dhe ka debatuar me Kujtim Koxhan, dhe e ka goditur me shuplakë në fytyrë. Në këtë kohë janë ngritur punonjësit e tjerë për t’i ndarë, pasi Kujtim Koxha ishte në gjendje te dehur.

Pas konfliktit, autori shkoi në shtëpi dhe mori kallashnikovin për të qëlluar me breshëri ndaj punonjësve të Bashkisë. Ata ndodheshin tek lokali i fshatit duke ngrënë drekë, së bashku edhe me banorë të tjerë.

Foto: Kujtim Koxha, autori i masakrës

Nga breshëria e armës u vranë punonjësit e Bashkisë Mentor Hoxha 36 vjeç shofer fadrome, Erzen Aliaj 49 vjeç shofer kamionçine dhe Hamit Buci 43 vjeç banor i fshatit. I plagosur mbeti Astrit Hani banor fshatit Burgajet, i cili ndodhet në spitalin e Burrelit. Konflikti mes autorit dhe viktimave ndodhi rreth 2 orë para se të ndodhte masakra. Pas ngjarjes, autori u largua drejt pyllit të fshatit Burgajet, por u arrestua brenda 1 ore falë mobilizimit të rreth 40 forcave policore.

(Video: Arrestimi i Kujtim Koxhas nga forcat policore)

Ai u dërgua në komisariat për t’u marrë në pyetje, ndërsa momentet e para ai ka qenë në gjendje të dehur. Ndërkohë që në banesën e autorit ka pasur prezencë të shtuar të forcave të policisë për të shmangur ndonjë hakmarrje të mundshme. Në vendngjarje, policia sekuestroi armën e krimit automatik model 56 dhe 11 gëzhoja, si dhe një krehër me 18 fishekë, duke zbardhur kështu tërësisht ngjarjen e rëndë që tronditi qytetin e Matit mesditën e sotme rreth orës 12:30./

tvklan.al