U deshën 12 orë debate për të mbërritur tek votimi i projekt-ligjit që i hap rrugë projektit të ndërtimit të një Teatri të ri Kombëtar.

Deputetët e opozitës vendosën të përdorin si gur të fundit bllokimin e foltores. Projekti u votua vetëm nga deputetët e mazhorancës. Opozita nuk mori pjesë.

Demokratët dhe LSI-stët i flakën kartonët e votimit drejt Kryeministrit Rama dhe u larguan nga salla. Përpara votimit ra në sy një debat mes Kryeministrit Edi Rama dhe Ministrit të Diasporës, Pandeli Majko për çështjen e teatrit.

Burime të Tv Klan thanë se Majko i ka shprehur njërit prej anëtarëve të kabinetit se do të abstenonte për këtë projektligj. I vënë në dijeni për këtë qëndrim, Kryeministri Edi Rama i ka kërkuar Ministrit Majko që më mirë të largohej nga salla për të mos pasur pasoja të mëtejshme.

Pas disa momentesh, Majko largohet dhe nuk merr pjesë në votim. Jashtë sallës së Kuvendit qëndroi deri në momentin e votimit, grupi i artistëve që kundërshton prishjen e godinës.

Protestuesit, ashtu si opozita, shpresojnë tek mosdekretimi i ligjit nga Presidenti i Republikës. Një vendim i tillë me gjasë vetëm do të mund të shtynte në kohë shembjen e godinës së vjetër dhe nisjen e punës për ndërtimin e Teatrit të ri Kombëtar.

Tv Klan