“Marrëdhëniet u acaruan pasi kërkova divorcin”

Të tjera detaje kanë dalë në dritë nga ngjarja e rëndë në qytetin e Durrësit, ku Ruzhdi Tosuni i mori jetën me levë hekuri bashkëshortes se tij Hajdijes.

Në dëshminë e dytë të dhënë në polici, 63-vjeçari ka deklaruar se rreth 2 muaj më parë është paraqitur në një zyrë avokatie për të  proceduar me divorcin ndaj bashkëshortes Hajdije Tosuni, pasi raporti mes tyre ishte i tensionuar.

Vendimin e tij, 59-vjeçarja e kishte mësuar pak orë para ngjarjes, çka kishte nxitur debat të fortë mes bashkëshortëve, kryesisht për ndarjen e pasurisë.

Sipas tij, në debat e sipër, gruaja e ka goditur me një mjet të fortë.

“Pas kësaj unë mbylla dyqanin. Mora një levë dhe në gjaknxehtësi e sipër e qëllova disa herë duke e lënë të vdekur. Ku e pashë pa shenja jete dola jashtë, mbylla qepenin dhe njoftova policinë”, mësohet të ketë thënë autori.

Krimi i rëndë ndodhi paraditen e së mërkurës në lagjen numër 12 në Durrës, në dyqanin e metrazheve në pronësi të çiftit, prindër të tre fëmijëve.

Tv Klan