Detaje të reja tronditëse janë zbuluar nga ngjarja e 2 Korrikut në Kombinat ku u gjetën të vdekura nënë e bijë, Zhaneta dhe Anisa Josifi ndërsa në gjendje të rëndë vajza tjetër e familjes, Blerta. Gazetarja Aida Topalli ka siguruar dëshminë e të mbijetuarës përpara oficerëve të policisë. Blerta Josifi është shprehur se ndiqte që prej moshës 15-vjeçare sektin e Dëshmitarëve të Jehovait, ndërsa më vonë ka ndjekur Kishën Ungjillore.

Mirëpo 2 vitet e fundit, Josifi ka treguar se ishin shkëputur dhe nuk shkonin në kultet fetare, por besonin në ringjallje. E para që ka nisur ritet për ringjalljen ka qenë Anisa Josifi. Blerta ka treguar se ajo ka qëndruar për 2 muaj pa ngrënë dhe në Mars të 2019-s dyshohet se ka humbur jetën, ndërkohë që Blerta Josifi thotë se “ra në gjumë të thellë sepse u pushtua nga demonët”.

“Qëkur isha 15 vjeç kam ndjekur Dëshmitarët e Jehovait. Më vonë kemi qenë edhe në kishën Ungjillore. 2 vitet e fundit u shkëputëm dhe nuk shkonim në asnjë kult fetar, por besonim në ringjallje dhe i kryenim ritet në banesë. Ritet e ringjalljes fillimisht i nisi Anisa në fillim të vitit 2019. Qëndroi duke u lutur dhe pa ngrenë gati 2 muaj deri në Mars të 2019 ku ra në gjumë të thellë sepse u pushtua nga demonët. Motrën e lyenim me uthull se kështu na mëson bibla jonë”, ka dëshmuar Blerta Josifi.

E ëma Zhaneta dhe motra Blerta kanë nisur ritet e sakrificës një vit pas vdekjes së Anisës. Sipas dëshmisë, Zhaneta Josifi ka humbur jetën në fillim të Korrikut, ndërsa vetë Blerta ka vijuar me ritet derisa e gjeti policia.

“Një vit pasi motra ra në gjumë nisëm sakrificën unë dhe mami. Pinim vetëm ujë të filtruar në napa dhe nuk konsumonim ushqim. Gjithë ditën luteshim për të kthyer në jetë motrën. Në ditët e para të Korrikut mami ra pa ndjenja në mes të dhomës ku po lutej. Ndërsa unë vazhdova ritin derisa erdhi policia”, ka dëshmuar Blerta Josifi./tvklan.al