40-vjeçari Hekuran Billa që ra pre e një ekzekutimi gjakftohtë mbrëmjen e së enjtes tek “Komuna e Parisit” në Tiranë, po shkonte të takonte motrën e tij që punon tek një dyqan në qendrën tregtare aty pranë.

Familjarë të viktimës kanë thënë në polici se 40-vjeçari nuk kishte shprehur asnjë shqetësim për ndonjë konflikt të mundshëm. Të afërmit thonë se Billa nuk ndihej i frikësuar dhe për këtë arsye nuk përdorte makinë të blinduar.

“Nuk kishte frikë. Lëvizte në çdo orë i pa shoqëruar dhe me makinë normale të pa blinduar”, mësohet të jenë shprehur në polici familjarët e të ndjerit, sipas dëshmisë të siguruar nga gazetarja e Klan Plus, Aida Topalli.

Foto: Viktima Hekuran Billa

Hekuran Billa u kthye në Shqipëri pak ditë më parë. Ai ka qenë në Belgjikë dhe kishte hyrë në vendin tonë përmes pikës kufitare nga Mali i Zi. Ndërkohë, janë zbardhur edhe lëvizjet e tij ditën e atentatit. Gjatë ditës së djeshme, 40-vjeçari Billa ka qenë në Durrës për disa dokumente automjetesh, pasi disponon një biznes të dhënies me qira të makinave.

Hekuran Billa u qëllua nga një makinë në lëvizje nga persona të paidentifikuar, që mendohet të jenë vrasës me pagesë. 40-vjeçari ka qenë brenda makinës së tij BMW X6 kur u qëllua me breshëri dhe humbi jetën menjëherë.

Hetimet e policisë janë fokusuar në pistën e hakmarrjes, pasi Hekuran Billa ka qenë i dënuar në Angli me burgim të përjetshëm për vrasjen e një shqiptari në Londër, por gjykatat shqiptare ja kishin konvertuar dënim duke i ulur vitet e burgut. /tvklan.al