Zbardhet dëshmia e Lefter Allës përpara gjykatës gjatë caktimit të masës së sigurisë. Sipas asaj që ka mësuar gazetari Besar Bajraktaraj, kryebashkiaku i Bulqizës, i konsideron politike akuzat e ngritura ndaj tij.

“Në gjykimin tim më mirë të më thoshin hap krahun, se sa të bëhen këto gjyqe politike”, është shprehur ai.

Prokuroria e Posaçme ka siguruar përgjime ambientale që rëndojnë pozitat e kryebashkiakut të Bulqizës Lefter Alla. Përmes këtyre përgjimeve SPAK ka provuar se Alla ka pasur kontakte dhe komunikime me biznesmenin Aqif Konesha i kompanisë që kryente punimet për ujësjellësin e Bulqizës. Madje, Alla, në shoqëri të Koneshës ka udhëtuar jashtë vendit me makinë, dyshohet në drejtim të Maqedonisë së Veriut.

Mësohet se zëvendëskryetarja e bashkisë Bulqizë, Enkeleda Lleshi, kishte dhënë më herët dorëheqje nga detyra pasi nuk donte të bëhej palë në firmosjen e tenderave, por është bindur që të rikthehet.

Një fakt interesant u zbulua në seancën për rivlerësimin e masës së sigurisë, teksa njëri prej personave që ishte raportuar nga SPAK si veprim i ekzekutuar për arrestimin nga policia, në fakt nuk ishte kështu.

Leonard Daçi, sekretar i përgjithshëm, anëtar i Komisionit të Vlerësimit të Ofertave, u paraqit befas në GJKKO rreth 2 orë pas nisjes së seancës. Ai erdhi i shoqëruar nga avokati Arben Peci, ku trokiti në dyert e sallës duke vënë në dijeni trupën gjykuese se ishte një nga të pandehurit e dosjes, dhe ndaj tij ishte marrë në mungesë masa e sigurisë “arrest me burg”.

E teksa ishte në banesë pretendon ai, dëgjoi emrin e vet që përmendej në media si një nga të arrestuarit, por në fakt ai ndodhej në Tiranë. Daçi njoftoi avokatin duke i kërkuar mendim, i cili i sugjeroj të paraqitej në gjykatë. Aktualisht Daçi ndodhet brenda sallës së gjyqit, por ai u la të vlerësohet në një moment të dytë pas bërjes së procedurave.

Alla është arrestuar nën akuzën e shpërdorimit të detyrës. Bashkë me të ranë në pranga edhe 7 zyrtarë të tjerë të Bashkisë, mes të cilëve edhe nënkryetarja e Bashkisë, Enkeleda Lleshi.  

Ata dyshohet se kanë shkelur rregullat dhe procedurat ligjore në tenderin për ndërtimin e Ujësjellësit në Bulqizë me vlerë 3.2 miliardë Lekë./tvklan.al