Zbardhet dëshmia e vëllezërve Beqiraj: Si u vra gabimisht i riu në Don Bosko dhe u plagosën 4 të tjerë

Zbardhet dëshmia e vëllezërve Beqiraj: Si u vra gabimisht i riu në Don Bosko dhe u plagosën 4 të tjerë

11:07 05/10/2022

Erion Çela mbeti i vrarë dhe 4 personat e tjerë që ndodheshin me të në tavolinë u plagosën, teksa pinin kafe në një lokal në Don Bosko pasditen e 4 Janarit. Objektiv në fakt ishte Geron Hasanbelliu dhe dy nipërit e tij, por pre e plumbave ranë 5 persona të pafajshëm.  

Një ditë pasi policia e Durrësit njoftoi shkatërrimin e një grupi që kryente vrasje me pagesë duke vënë në pranga 15 persona, e duke zbardhur disa ngjarje kriminale, detaje të reja kanë dalë në dritë nga dëshmia e vëllezërve Gentjan e Indrit Beqiraj.

Burime për Klan News bëjnë të ditur se për vrasjen në Don Bosko, policia po verifikon edhe një herë nëse ditën e ngjarjes, Geron Hasanbelliu ishte ose jo në lokal.

Në dëshminë e siguruar nga gazetari Besar Bajraktaraj, para hetuesve dy vëllezërit Beqiraj kanë deklaruar: “Kevin Zeneli, një i njohuri ynë na ofroi punë. Kevin tha se do na jepte një punë që e kishte porositur Kasandër Noga. Kevini na tregoi fotografinë e Geron Hasanbelliut. Duhet ta gjenim, ta vëzhgonim dhe eliminonim. E gjetëm në Don Bosko, prandaj morëm dhe shtëpi me qira aty. E kemi ndjekur gati gjithë muajin Dhjetor 2021. Dy ditë para Vitit të Ri u dorëzuam dhe i thamë Kevinit se nuk mund ta kryejmë dot, sepse është objektiv i vështirë. Makinën që kishim marrë për të kryer ngjarjen ia dhamë Kevinit. Më pas më 4 janar ngjarjen e kreu ai me mjetet që kishim siguruar ne”.

Efektivi që dyshohet se porositi vrasjen e 2 personave mohon akuzën: Vëllezërve ua dhashë borxh 3500 eurot…

Detaje kanë dalë në dritë edhe përsa i përket dëshmisë së efektivit të burgjeve, Flamur Bejko, i arrestuar një ditë më parë pas dyshimeve se kishte porositur një vrasje të dyfishtë tek vëllezërit Gentjan e Indrit Beqiraj.

Kështu, sipas burimeve të Klan News, Bejko e ka mohuar akuzën para hetuesve. Sipas deklarimeve të tij, dy vëllezërve ua ka dhënë borxh shumën prej 3500 eurosh me argumentin se Beqirajt do të bënin disa dokumente në Greqi. Nga ana tjetër, burime të policisë pohojnë për Klan News se nga hetimet e deritanishme rezulton që efektivi i burgjeve dhe dy objektivët e atentatit kishin konflikt me njëri-tjetrin.

Sa i përket ushtarakut Altin Celami, po ashtu i arrestuar në të njëjtin operacion, ai nuk kishte rol parësor në grup, por ishte person që kishte siguruar dhe shkëmbyer armët e sekuestruara.

Ndërkohë, ditën që ndodhi rrëmbimi i Indrit Beqirajt, autorë janë personat e shpallur në kërkim, pjesë e grupit të “Rrumit”. Nga verifikimet ka rezultuar se ata i kanë mbajtur në vëzhgim vëllezërit Beqiraj për llogari të tyre dhe nuk kanë pasur dijeni për atentatin që Indrit dhe Gentjan Beqiraj do kryenin për llogari të efektivit të burgjeve./tvklan.al





Të ngjashme