Policia merr në pyetje familjarët të cilët mohojnë të kenë konflikte

Me 30 plumba e qëlluan autorët të fortin e Shkodrës Bardhok Pllanin të cilit i bën pritë pranë shtëpisë së tij në lagjen Dobraç. Mësohet se ata e ndoqën për rreth 150 metra dhe e goditën në lëvizje.

Kjo është makina e 46-vjeçarit i njohur si “Kumbari” me të cilën ai po udhëtonte kur u qëllua me kallashnikov ndërsa 2 prej plumbave ishin fatal për Pllanin pasi e prekën në kokë dhe zemër, çka i shkaktuan vdekjen e menjëhershme.

Policia ka shoqëruar vetëm familjarë të 46-vjeçarit të cilët janë marrë në pyetje por burime për Klan News bëjnë të ditur se ata kanë kyçur gojën dhe nuk kanë pranuar që të kenë konflikte.

Uniformat blu kanë sekuestruar kamera të sigurisë në zonë ndërsa po analizon edhe gjurmë të autorëve te kjo makinë tip Volkswagen Passat që u gjet e djegur pak metra larg vendit të ngjarjes te stacioni i pompave në Dobraç. Brenda mjetit me targa italiane u gjetën edhe 2 armë kallashnikov që besoshet se u përkisin autorëve.

Larja e hesapeve është pista ku po heton policia në lidhje me këtë atentat mafioz, ndërsa Bardhok Pllani është një person me precedent penal. 46-vjeçari është arrestuar disa herë për disa ngjarje kriminale ndërsa në vitin 2018 ka qenë edhe subjekt i Operacionit Forca e Ligjit.

Pllani dyshohet se ishte i përfshirë edhe në sulmin me armë zjarri në drejtim të lokalit në pronësi të efektivit të “Shqiponjave” Albert Pjetri në Dhjetor të vitit 2020 ku pati vetëm dëme materiale.

Klan News