Djali u konfliktua para se ta qëllonte me 4 plumba. 3 fëmijët bashkëpunuan në fshehjen e kufomës dhe të krimit

Klan News ka siguruar dosjen e policisë për vrasjen e Pëllumb Metës, ku të akuzuar janë 3 fëmijët e tij ndërsa po hetohet në gjendje të lirë bashkëshortja. 50-vjeçari rezulton se është konfliktuar me djalin, Hysenin para se ky ta vriste me armën që i ati mbante pa leje. Ky fakt dhe plani për të fshehur vrasjen janë pasqyruar në dosjen e policisë që ia ka dorëzuar prokurorisë së Durrësit.

“Kur babai ka ardhur në banesë ka filluar të konfliktohet me vëllanë. Më pas babai është shtrirë duke pushuar në një divan të kuzhinës. Hyseni ka marrë armën pistoletë TT dhe e ka qëlluar katër herë. Gjatë këtyre veprimeve nuk kanë qenë të pranishëm vëllai i vogël Amarildo dhe as mamaja Blerina.”

Sipas dosjes së policisë, rezulton se më pas vajza Hygerta është marrë me trupin e babait.

“Vëllai ka dalë nga banesa dhe e ka lënë kufomën aty. E kam lidhur në këmbë e në duar, duke e fashuar dhe vendosur dhe në një çarçaf të zi. Në mbrëmje dy vëllezërit janë marrë me hapjen e gropës dhe fshehjen e kufomës, si dhe me pas dhe me armën dhe gëzhojat.”

Gjatë mbështjelljes së trupit vajza ka harruar një palë gërshëre. Sipas dëshmive të Hygertës, vëllai i vogël dhe mamaja e kanë mësuar vrasjen pasi u kthyen atë ditë në shtëpi. Në dosje thuhet së nëna u trondit pasi mësoi ngjarjen. Më pas ajo ka pastruar dhomën si dhe divanin ku u qëllua bashkëshorti.

Të nesërmen e vrasjes Blerina Meta ka parë që tek kasollja ishte lëvizur dheu dhe ka mësuar se aty ishte varrosur kufoma. I kishin hedhur disa pllaka betoni dhe kashtë që te mos dukej vendi i gërmuar nëse vinte për kontroll policia.

Pasi rikontrollit të banesës policia gjeti në sirtarin e një divani një predhë arme zjarri. Pas konstatimit të kësaj prove, studentja 19-vjeçare, Hygerta Meta ka treguar të vërtetën duke u thënë hetuesve se vrasjen e babait e kishte realizuar së bashku me të vëllanë e madh. Ata kishin rënë dakord që nëse zbuloheshin nga policia, Hygerta do të merrte përsipër autorësinë e vrasjes. Bashkë me të vëllanë rreth orës 04.00, kanë lëvizur makinën e nga banesa për të krijuar alibinë që babai ishte larguar.

Policia ka marrë në pyetje dhe familjarët e djalit që Pëllumb Meta kërkonte ta fejonte me vajzën. Ata i kanë thënë policisë se 50-vjeçari ua kishte bërë të qartë se vajza do të vazhdonte shkollën dhe se nuk kishte plane për fejesë.

Ndërsa policia ka zbardhur dinamikën e këtij krimi të rëndë, mësohet se 3  fëmijët ishin në konflikt prej kohësh me babanë. Shpesh ai debatonte me djalin e madh për shkak se ishte i papunë. Fëmijët në dëshminë e tyre thonë se babai i dhunonte dhe se marrëdhëniet mes tyre ishin vazhdimisht të acaruara.

Klan News