Riformatim i KQZ dhe identifikim në zgjedhje

Pas arritjes së marrëveshjes mes mazhorancës dhe opozitës, Kuvendi ka tashmë gati ndryshimet e bëra në Kodin Elektoral. Amendimet përfshijnë ndryshimet që lidhen me Komisionin Qëndror të Zgjedhjeve, kompetencat e këtij organi lidhur me votimin e emigrantëve, si dhe procedurën për futjen e teknologjisë në zgjedhje.

Në 2021-in, KQZ-ja si organ përgjegjës për organizimin dhe administrimin e proceseve elektorale do të jetë e ndarë në tre organe, komisioneri shtetëror, komisioni rregullator dhe ai i ankimeve dhe sanksioneve.

Komisioneri zgjidhet nga Kuvendi për një mandat 7-vjeçar, të përtëritshëm, dhe në këtë post kanë të drejtë të kandidojnë të gjithë ata shtetas që vijnë nga radhët e ish-funksionarëve politikë apo të kabineteve, ish-nëpunësve të nivelit të lartë drejtues, ose të ish-drejtuesve të organizatave jofitimprurëse me veprimtari në fushën e zgjedhjeve dhe të të drejtave të njeriut.

Sakaq, Nënkomisioneri Shtetëror i Zgjedhjeve, që i është lenë opozitës, zgjidhet nga Kuvendi për një periudhë 7-vjeçare me detyrën për të monitoruar dhe mbikëqyrur implementimin e teknologjisë për identifikimin biometrik, rekrutimin dhe trajnimin e zyrtarëve zgjedhorë.

Komisioni Rregullatori përbëhet nga 5 anëtarë, me një mandate 5-vjeçar nga të cilët njeri ushtron detyrën e kryetarit. Ndërsa Komisioni i Ankimeve dhe Sanksioneve përbëhet nga 5 anëtarë, të cilët zgjidhen nga Kuvendi për një mandat 9-vjeçar.

Dy janë kompetencat që i jepen me ligj KQZ-së në këto ndryshime; e para ka të bëjë me teknologjinë dhe e dyta me votën e emigrantëve.

Do të jetë KQZ-ja organi që ka të drejtë të eksplorojë, eksperimentojë dhe të vendosë përdorimin në zgjedhje të sistemeve dhe/ose pajisjeve të teknologjisë së informacionit.

Sistemet apo pajisjet e teknologjisë së informacionit që do të përdoren në zgjedhje do të implementohen me projekte pilot, të cilat duhet të përfshijnë jo më shumë se 20% të zgjedhësve. Pavarësisht nga ky rregull, në zgjedhjet e para për Kuvendin pas hyrjes në fuqi të këtij ligji identifikimi elektronik do të shtrihet në 100 për qind të zgjedhësve.

Në rastet kur nga testimi parazgjedhor rezulton se sistemet apo pajisjet shfaqin defekte apo pasaktësi operacionale, të cilat mund të cënojnë integritetin e tyre apo të procedurave, atëherë KQZ-ja mund të vendosë zbatimin e procedurave manualisht dhe të heqë sistemet apo pajisjet nga përdorimi në zgjedhjet e radhës.

Sikundër më herët palët kanë rënë dakort, në dispozitën tranzitore sqarohet se mosmarrëveshjet zgjedhore do të shqyrtohen nga trupa e Kolegjit të Apelit, me gjyqtarë që më parë do të kenë kaluar Vettingun.

Tv Klan