Në kërkim autori, në pranga një bashkëpunëtor

Personi që shihni në foto është Artan Tafani, autori i dyshuar i grabitjes së 40 mijë eurove në pikën e këmbimit valutor në Astir mëngjesin e së shtunës. 39-vjeçari rezulton se përdor dhe emrin Marius dhe sipas policisë ka qenë dhe më parë i dënuar për vjedhje.

Ky është edhe momenti kur Artan Tafani largohet pas kryerjes së grabitjes me biçikletë.

Pikërisht këtë biçikletë ai më pas e ka fshehur me ndihmën e një tjetër personi në një garazh automjetesh. Policia ka zbuluar dhe më pas ka arrestuar se bashkëpunëtori i Tafanit është Enio Meçaj, 35 vjeç, banues në Fier.

Ky i fundit dyshohet se i ka vënë në dispozicion autorit garazhin e automjeteve, ku Artan Tafani fshehu biçikletën e përdorur në grabitje si edhe rrobat e krimit.

Meçaj ka mohuar se ka njohje me personin që e posedon garazhin, duke bërë që ai të akuzohet për pengim të zbulimit të së vërtetës.

Gjithashtu po në të njëjtin garazh, uniformat blu kanë gjetur dhe një automjet i cili rezultoi i vjedhur në shkurt të 2023 në zonën e Shijakut.

Policia njofton se vijon puna për kapjen e autorit, si dhe gjetjen e shumës prej 40 mijë eurove të grabitura në më pak se 2 minuta nën kërcënimin e një pistolete nga Artan Tafani.

Klan News