Morën rreth 11 mln Lekë mëngjesin e së hënës

Policia e Krujës në bashkëpunim me atë të Durrësit kanë zbardhur grabitjen në Postën e Krujës më 4 Nëntor, ku u morën një shumë e konsiderueshme parash. Në pranga kanë rënë Gazmir Saka 32 vjeç, Andi Rexhepi 30 vjeç dhe Mark Caka 33 vjeç, si dhe janë sekuestruar armët e zjarrit me silenciator; një kallashnikov, një pushkë, një pistoletë, minë me telekomandë, municione dhe targa makinash të vjedhura.

Gazmir Saka është person me precedent kriminal në fushën e vjedhjes me armë të pronës dhe në fushën e narkotikëve. Shuma e parave të grabitura në Postën e Krujës u gjet në banesën e tij. Kurse Andi Rexhepi, i njohur me pseudonimin “Rrem Paturri” është person me precedent të theksuar kriminal në fushën e krimeve ndaj personit dhe pronës, si dhe për armëmbajtje pa leje.

Këta persona rezultojnë të përfshirë edhe në ngjarje të tjera kriminale dhe të disa vjedhjeve të tjera të ndodhura në Durrës dhe në Gjirin e Lalzit, konkretisht autorë të vjedhjes së Benz-it 320, të sekuestruar gjatë operacionit të sotëm, autorë të vjedhjes së dy automjeteve Range Rover, njëri prej të cilëve u sekuestrua po gjatë operacionit të sotëm, si dhe vjedhjes së një supermarketi.

Policia e Krujës, në një deklaratë për mediat, deklaroi se të arrestuarit dyshohet të jenë autorë të disa grabitjeve me dhunë në Kavajë, Durrës, Vorë, Kamëz, Laç e Mirditë.

Në kuadër të veprimeve për zbardhjen e ngjarjes, gjatë operacionit të sotëm u bë ndalimi edhe i dy shtetasve të tjerë për moskallëzim krimi, konkretisht: B. T. dhe A. L., roje në magazinën ku u gjetën mjetet dhe armët e përdorura për kryerjen e grabitjeve.

Dy ditë më parë u arrestua roja i filialit të Postës në Krujë dhe është shpallur në kërkim specialisti i sallës së policisë private që ruante këtë filial. /tvklan.al