Zbardhet identiteti i shqiptarit të vrarë në Itali

Zbardhet identiteti i shqiptarit të vrarë në Itali

13:01 26/01/2020

Mediat italiane kanë zbardhur identetin e shqiptarit të vrarë në Romë mbrëmjen e së shtunës. Viktima quhet Gentian Kasa, raporton “RomaToday”. 43-vjeçari u vra me dy plumba pistolete, të cilat e kishin prekur në kokë dhe në gjoks.

Mediat italiane thonë se vrasja ishte kryer me gjakftohtësi. 43-vjeçari shqiptar kishte dalë me leje nga burgu. Ai ndodhej në banesë ku u takua me familjen e tij.

Pasi u përshëndet me familjarët, doli nga shtëpia për t’u rikthyer në burgun e Rebibbia. Mori ashensorin dhe zbriti në katin e parë. Në trotuar e priste vrasësi i tij. Dy të shtëna i morën atij jetën. Plumbat kanë përshkuar edhe dy automjete të parkuara aty pranë.

Ekzekutori duket se ka qenë i mirëinformuar që shqiptari kishte dalë me leje nga burgu, dhe kishte planifikuar çdo gjë.

Trupi i 43-vjeçarit u gjet i shtrirë në tokë i pajetë, nga vëllai i tij, një 20-vjeçar, i cili doli menjëherë nga banesa sapo dëgjoi të shtënat e armës. I dëshpëruar dhe duke qarë, vëllai i viktimës bërtiste për ndihmë.

Në vendngjarje shkuan me urgjencë forcat policore dhe ekipet e emergjencës. Këto të fundit bënë çdo gjë për të mbajtur në jetë shqiptarin, por pa rezultat.

Sipas mediave italiane, dyshohet se ngjarja lidhet me përplasjet mes grupeve kriminale. Hetuesit e policisë po përpiqen të rindërtojnë lëvizjet e orëve të fundit të viktimës dhe kontaktet që kishte. Zona ku ndodhi krimi është e njohur për përplasjet mes grupeve kriminale. /tvklan.al



Grupi
LAJMET
Të ngjashme

Grupi