Pëllumb Meta ishte qëlluar me 4 plumba, u gropos në kasolle
Rezultonte i zhdukur që prej datës 10 shkurt, por këtë të enjte 50 vjeçari Pëllumb Meta, u gjet i groposur në kasolle disa metra larg banesës. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në Shënavlash të Durrësit. Pas denoncimit për humbjen nga djali i madh, hetuesit kanë marrë në pyetje të gjithë anëtarët e familjes.
Policia nisi të dyshonte se bëhet fjalë për krim në familje pasi gjetën mjetin e viktimës së braktisur rreth 1.5 km larg banesës, në aksin Shënavlash–Sektori Rinia. Gjithashtu, u zbulua se telefoni i viktimës ishte brenda banesës, i ndezur. Pas sigurimit të këtyre provave, policia mori sërish në pyetje familjarët. Për shkak të presionit, studentja 19 vjeçare, Hygerta Meta, ka pranuar se ka vrarë babain dhe e ka groposur në kasolle. Por ngjarja mban mister pasi rezulton se mjeti është larguar nga një prej djemve, ndërsa policia dyshon se vrasja ka ndodhur natën për të humbur gjurmët. Për zbardhjen e këtyre provave hetuesit janë ndihmuar nga kamerat në zonë.
Pas zhvarrosjes, 50 vjeçari rezultoi i vrarë me 4 plumba. Policia në një dalje publike për mediat, konfirmuan se 50 vjeçari është ekzekutuar nga djali i tij ndërsa e bija ka qenë bashkëpunëtore.
“U arrit të gjendeshin provat vëllai, vajza 19 vjeçare të cilët kanë qenë bashkëpunëtor, dhe Amarlido Meta. Nëna hetohet në gjendje të lirë. Vrasja ka ndodhur brenda në banesë, pikërisht në kasollen që ndodhej aty afër.”
Të arrestuar janë tre fëmijët e viktimës. Hysen Meta akuzohet për vrasje, vëllai i vogël Amarildo Meta për fshehjen e pistoletës ndërsa e motra 19 vjeçare për fshehjen e krimit.
Policia ka dërguar Hygertën në vendin e ngjarjes. Siç shihet në këto pamje, ajo mban një maskë kirurgjikale në fytyrë dhe është duke iu përgjigjur hetuesve duke shpjeguar dinamikën e krimit. 3 orë më pas, policia solli në vendngjarje dhe bashkëshorten e viktimës. Ajo ka dëshmuar për disa minuta para hetuesve dhe më pas është lejuar të futet në banesë. Nga aty u dërgua në komisariatin e policisë.
Në orët e pasdites së kësaj të premteje forcat RENEA gjetën pistoletën në një zonë moçalore pranë banesës, në vendin e quajtur “Vaskat”. Arma u zbulua me anë të dedektorëve metalikë pas dëshmisë së familjarëve. Në plasmasin që ishte mbështjellë viktima u gjetën gjurmët e gishtave të djalit 25-vjeçar.
Gjatë aksionit, policia sekuestroi në banesë dhe kreher me fishekë të një arme zjarri.
Klan News