Policia: Atentatorët ngatërruan objektivin

Vrasja e Erion Çelës dhe plagosja e 4 të tjerëve në një lokal në Don Bosko 2 vite më parë ndodhi gabimisht pasi atentatorët ngatërruan objektiv. Policia e Tiranës me ndihmën e dëshmisë së dy vëllezërve, Gentian dhe Indrit Beqiraj, zbardhi ngjarjen duke bërë të ditur se hetimet çuan në lëshimin 6 masave të sigurisë “arrest në burg”, mes tyre edhe për Kasandër Nogën, i arrestuar në Belgjikë, si porositësi i krimit.

“Ka rezultuar se më datë 04.01.2022, shtetasi Kevin Zeneli (Suçi), në bashkëpumim me dy persona të tjerë, ende të pa indentifikuar, si porosi e shtetasit Kasander Noga, kanë qëlluar me armë zjarri drejt një lokali në Don Bosko, për të vrarë shtetasin G. H., por autorët kanë ngatërruar objektiv, dhe si pasojë e të shtënave me armë zjarri ka gjetur vdekjen shtetasi Erion Çela dhe janë plagosur 4 të tjerë”, deklaroi Tonin Vocaj, drejtor i Policisë së Tiranës.

E njëjta dëshmi, por edhe veprimet e tjera hetimore konfirmuan se si Noga dhe i shpalluri në kërkim Kevin Suçi organizuan planin.

“Për të organizuar vrasjen e këtyrë personave, shtetasi Kasandër Noga ka kontaktuar dhe porositur shtetasit Kevin Zeneli (Suçi), i cili më pas ka kontaktuar shtetasin Ilirian Feçi dhe vëllezërit Indrit dhe Gentjan Beqiraj, të cilëve iu është premtuar dhe dhënë si parapagim një shumë monetare”.

I përfshirë në këtë ngjarje rezulton edhe shtetasi Roland Ahmet Sulaj, i arrestuar në operacionin e kësaj të shtune, teksa në ambientet e burgut iu komunikua masa dy vëllezërve Beqiraj dhe shtetasit Ilirjan Feçi.

Me anë të letërporosisë, masa e sigurisë lëshuar në mungesë do i komunikohet edhe Kasandër Nogës në Belgjikë. I vetmi person ende i pa arrestuar është Kevin Suçi Zeneli, i konsideruar si bashkëpunëtori i ngushtë i Nogës nga policia.

Tv Klan