

Zbardhet misteri i zhdukjes së 31-vjeçarit
Disa turistë të cilët ndodheshin në pyjet e rajonit të Moskës gjetën një skelet njeriu të prangosur pas një peme. Nuk bëhej fjalë për një vrasje, por për një numër iluzionist i shkuar keq.
Viktima u identifikua shumë shpejt. Ai ishte Ivan Klyucharev, një 31-vjeçar i zhdukur 2 vjet më parë e që aspironte të ishte iluzionist. Klyucharev udhëtonte shpesh vetëm në të gjithë Rusinë, pa u thënë familjarëve asgjë nga planet e tij. Ai ishte gjithashtu i apasionuar pas iluzionistit të famshëm Harry Houdini dhe numrave të tij legjendarë me pranga. Skeleti i Klyucharev u gjet në dalje të fshatit Cherusti, që ndodhet 156 kilometra në lindje të Moskës, në fillim të kësaj jave. Në vendngjarje u gjetën gjithashtu pajisje kampingu, një çadër, ushqime, rroba, një laptop, pranga, zinxhirë etj. Hetuesit rusë nuk e përjashtojnë mundësinë që 31-vjeçari mund të jetë vrarë. Megjithatë, pista kryesore është se iluzionisti u prangos vetë në pemë, në mënyrë që të praktikonte aftësitë e tij.
/tvklan.al