U vra nga nipi i bashkëshortit dhe u hodh në rezervuar

Një 50-vjeçare nga Gjerbësi i Mallakastrës është vrarë nga nipi i bashkëshortit dhe 2 shokët e tij, pas tentativës për të grabitur shtëpinë e saj.

Drita Saliaj duket se e ka njohur 16-vjeçarin, djalin e kushëririt të parë të burrit të saj, një bashkëmoshatar të tij dhe një 26-vjeçar, kur kanë hyrë në banesën e saj të dielën e 5 Janarit.

Sipas njoftimit të policisë, ajo ka bërë rezistencë, ndaj dhe 3 autorët e kanë lidhur këmbë dhe duar me litar dhe e kanë hedhur në rezervuarin e fshatit Gjerbës, që ndodhet rreth 7 kilometra larg shtëpisë ku ndodhi ngjarja, nga ku është nxjerrë nga polumbarët e forcave RENEA.

Sipas policisë, në momentin e hedhjes 50-vjeçarja ka qenë e gjallë dhe vdekja ka ardhur nga mbytja.

Drita Saliaj jetonte e vetme, pasi bashkëshorti dhe dy djemtë ishin emigrantë në Greqi, ndaj dhe ngjarja është denoncuar të hënën, ndërsa trupi i saj u gjet këtë të martë.

Kunati i 50-vjeçares tregon detajet e krimit.

“Ata kishin pirë kafe, dy veta, se dy filxhanë kafeje ishin. Siç duket meqë ishin të afërt, ajo, ndjesë pastë, i ka pranuar brenda. Mesa pamë ata e kishin kthyer shtëpinë… edhe gjërat më të imëta kishin kontrolluar. Siç duket për punë lekësh…”

Brenda pak orëve nga marrja e denoncimit, policia e Mallakastrës, bëri të mundur zbardhjen e ngjarjes dhe vendosi në pranga 3 autorët, ndërsa Prokuroria e Vlorës ka nisur hetimet.

Tv Klan