Arnold Azizolli dhe Amarildo Dule, të dy të moshës 30-vjeçare dyshohet se janë autorët e plagosjes së ndodhur orët e vona të së mërkurës në Berat. Ata janë shpallur në kërkim dhe policia thotë se po punon për kapjen e tyre.

Personat në fjalë dyshohet se qëlluan në drejtim të 24-vjeçarit Tajar Fetiu, i cili mbeti i plagosur dhe aktualisht ndodhet në spitalin e Traumës në Tiranë. I riu mësohet se jetonte në Londër dhe ndodhej në vendlindje për pushime. Motivet e ngjarjes mbeten të paqarta.

“Falë veprimeve të shpejta hetimore të kryera nga strukturat hetimore të DVP Berat në bashkëpunim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Berat, u bë e mundur identifikimi dhe shpallja në kërkim e shtetasve: Arnold Azizolli, 30 vjeç dhe Amarildo Dule, 30 vjeç, të dy banues në Berat. Shpallja në kërkim e këtyre shtetasve u bë pasi mbrëmjen e djeshme, në lagjen “Dëshmorët e Kombit”, në rrugën “Xhamia e Sahatit” kanë plagosur me armë zjarri shtetasin Tajar Fetiu, 24 vjeç, banues në Berat“, tha policia në njoftimin e saj për mediat./tvklan.al