Policia ka zbardhur plagosjen me armë zjarri mbrëmjen e së premtes në Mirditë, ku u qëllua me armë 51-vjeçarin Martin Prenga në autostradën Rrëshen-Kukës.

Në prangat e policisë ka rënë 21-vjeçari me iniciale Florin Gjoka, si dhe është proceduar penalisht në gjendje të lirë vëllai i tij A.Gjoka 21 vjeç.

Policia thotë se autori i dyshuar Florin Gjoka tentoi të vriste me armë 51-vjeçarin Prenga pas një sherri me të. Nga të shtënat, Martin Prenga mbeti i plagosur në këmbë dhe u dërgua në Spitalin e Traumës në Tiranë, ku ndodhet jashtë rrezikut për jetën.

Ndërsa pas ngjarjes, autori i dyshuar u ndihmua nga vëllai i tij për t’u larguar nga vendngjarja dhe për t’u fshehur.

Grupi hetimor vazhdon hetimet për të përcaktuar rolin dhe përgjegjësinë e të gjithë personave të përfshirë në këtë konflikt, i cili ka agravuar deri në përdorimin e armës së zjarrit.

Në cilësinë e provës materiale është sekuestruar arma e zjarrit pistoletë e dyshuar e përdorur nga autori.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Lezhë, për veprime të mëtejshme, për veprat penale “Vrasja me paramendim” e mbetur në tentativë dhe “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve luftarake dhe municionit”, në ngarkim të Florin Gjokës dhe “Përkrahja e autorit të krimit”, në ngarkim të vëllait A. Gjoka. /tvklan.al