Kryeministri Zoran Zaev dhe Zv/Kryeministri Lupco Nikolovski kanë prezantuar planin e qeverisë për luftë kundër korrupsionit. Me këtë plan, siç u tha, do të çrrënjoset korrupsioni dhe u bëhet thirrje qytetarëve të denoncojnë korrupsionin në të gjitha nivelet e institucioneve. Plani ka për qëllim të parandalojë korrupsionin e pushtetit aktual, por siç tha Kryeministri Zaev, të zbulojë edhe instalimet korruptive të ish-pushtetit.

Përforcimi i kapaciteteve të prokurorive publike, sistem për lidhje të shërbimeve inspektuese, tërheqjen e certifikatave prej letre nga shërbimet amë – janë një pjesë nga masat e planit qeveritar për luftë kundër korrupsionit. Kryeministri Zoran Zaev, theksoi se plani ka për qëllim të parandalojë korrupsionin tek pushteti aktual, por edhe të zbardh mbetjet e pushtetit të dikurshëm.

“Sot kjo thirrje për publikimin e këtij aksioni së bashku me Zv/Kryeministrin për Luftë kundër Korrupsionit është një mesazh për të gjithë. Të mos ndodh pastaj – unë jam i ndershëm për herë të parë më ndodhi, të mos ndodh unë jam anëtar i partive në pushtet. Mëshirë nuk do të ketë për askend”.

Sipas Zv/Kryeministrit Nikolovski, plani parasheh edhe kthimin e parave në arkën shtetërore, që është zbrazur përmes krimit financiar.

“Përmes masave adekuate do të aktualizohet zbatimi i konfiskimit të pronës si mekanizëm sistematik për luftë kundër korrupsionit, do të përforcohet koordinimi mes institucioneve kompetente gjatë hetimeve financiare në pjesën e ndjekjes së origjinës së parave si dhe zbulimin eventual të fshehjes, mbulimit të pronës së fituar në mënyrë të jashtëligjshme”.

“U mbars mali e polli një mi” – ishte reagimi i VMRO-DPMNE-së pas prezantimit të planit qeveritar për luftë kundër korrupsionit.

“Zaevi premtoi se do të prezantojë një plan të madh aksional kundër korrupsionit, kurse askund nuk dëgjuam se deri ku është procedura për paratë në rastin “Zhvatja”, ku i akuzuari i parë Boki 13 mbante një çantë me para, e paratë përfunduan në familjen e Zaevit. Deri sot askush nuk është përgjigjur për arratisjen e Mijalkovit, partnerit të Zaevit. Zaevi nuk tha përse nuk ka përgjegjësi dhe procedurë kundër krimit prej thuajse gjysmë miliardë eurove për shkatërimin e Bankës Eurostandard dhe biznesit me Kombinatin Jellak”.

Kryeministri Zaev dhe Zv/Kryeministri Nikolovski kanë theksuar se plani përmban të gjitha vërrejtjet, rekomandimet dhe kërkesat e OJQ-ve, të Platformës qytetare për luftë kundër korrupsionit, të “Transparency International”, Komisionit Antikorrupsion, trupave rregullator dhe të gjitha vërrejtjet dhe rekomandimet e partnerit strategjik SHBA-ve, Raportit të Komisionit Evropian dhe nga të gjitha institucionet që ndjekin situatën në vend.

Klan Macedonia