Kur kanë kaluar më shumë se 2 muaj nga grabitja e parave në pistën e Rinasit, kanë dalë detaje të reja. Hetuesit kanë zbardhur rolin e Hasan Kanaçit, i arrestuar pak ditë më parë, me dyshimin se ndihmoi grabitësit të rrëmbenin nga avioni shumën prej 6.5 milionë euro. Ka dyshime se Kanaçi ka ndryshuar radhën e ngarkesës për t’i dhënë kohë grupit të Admir Muratajt të realizonte planin e vjedhjes.

Sipas procedurës duhet që vlerat monetare të ngarkohen të fundit në avion dhe më pas të mbyllet dera. Por referuar pamjeve filmike ka rezultuar se fillimisht janë ngarkuar disa valixhe të pasagjerëve, më pas janë futur thasët me para dhe në fund janë ngarkuar valixhe të tjera. 48-vjeçari u arrestua pak ditë më parë dhe qëndron nën masën e sigurisë arrest me burg.

Kanaçi ka mohuar të ketë lidhje me grabitjen dhe ka pretenduar se shuma prej 150 mijë euro e gjetur nga policia në banesën e tij, nuk është e bankave që u vodhën në aeroport.

Tv Klan