Tv Klan siguron dosjen e arrestimit të gjyqtares Hoxha

Këto janë disa nga fotot në dosjen voluminoze të SPAK për gjyqtaren e Krujës Enkelejda Hoxha që u vu në pranga në sallën e gjyqit mëngjesin e së enjtes pas kishte vendosur për lehtësimin e dënimit për një të burgosur për vrasje.

Tv Klan ka siguruar pjesë të dosjes ku shihet se gjyqtarja është mbajtur nën vëzhgim për gati 5 muaj. Në bazë të këtyre imazheve prokurorët kanë zbardhur edhe si funksiononte skema e korrupsionit. Në këto foto që mbajnë datën 13 Nëntor 2020 shihet gjyqtarja dhe avokati Aldo Tabaku në ambientet e një furre buke duke porositur ëmbëlsira.

Sipas hetuesve avokati Aldo Tabaku kishte ndërhyrë te gjyqtarja për të lehtësuar dënimin e të dënuarit Saimir Petani që mbrohej prej tij. Në dosje janë edhe disa imazhe të tjera kur avokati Aldo Tabaku takohet përpara gjykatës së Krujës me të afërm të të dënuarit.

Sipas dosjes së Prokurorisë ka prova të qarta se si të afërmit e të dënuarit kishin vendosur në fillim kontaktet me avokatin Aldo Tabaku. Ky ka marrë përsipër të ndërhyjë te gjyqtarja Enklelejda Hoxha duke premtuar shpërblim monetar në shuma që varionin nga 6 në 12 mijë Euro.

Për të kaluar dosjen në dorën e kësaj gjyqtareje futej në lojë sekretarja e gjykatës Emanuela Mallkuci e cila ndërhynte te shorti. I përfshirë në skemë ishte një ekspert psikiatriko-ligjor që paraqiste raporte sipas kërkesës së palëve.

Në dosjen e siguruar nga Tv Klan ka përgjime të tëra ambientale dhe telefonike që kanë zbardhur skemën e korrupsionit. Për gjyqtaren dhe 9 të arrestuarit e tjerë gjykata e posaçme ka vendosur masën e arrestit me burg. Masa u është komunikuar në momentin e ndalimit dhe ditën e shtunë pritet që ajo të verifikohet në gjykatë. 

Tv Klan