Ka shkuar në 12 numri i të arrestuarve si pjesë e grupit kriminal që trafikoi në Janar të këtij viti nga porti i Durrësit 2.5 ton kanabis. Pas ndalimit të nënkomisatit të Fierit, Festim Lelaj, këtë të mërkurë me urdhër të Prokurorisë janë ndaluar dy efektivët e policisë në Portin e Durrësit Agron Kapllanaj e Gëzim Dervishi si dhe dy doganierët Altin Katundi e Mikail Hila.

Tv Klan ka mundur të zbardhë mënyrën sesi ky grup trafikoi drogën nëpërmjet portit më të rëndësishëm në vend. Ngarkimi i lëndës narkotike është bërë në Fier në bashkëpunim me një kompani që trasportonte paleta druri në vendet e Europës. Në të njëjtën ditë u nisën dy kamionë, ai  që nuk kishte drogë është kontrolluar i pari. Pasi është bërë vulosja e tij, ka dalë në parkimin e portit ku ndodhej edhe kamioni tjetër ku ishte droga.

Shoferi i tij ka ndërruar rimorkion duke marrë atë që ishte me drogë. Gjithashtu ai ka ndërruar edhe targat. Në këtë mënyrë është bërë dhe shmangja e kontrolleve në Itali pasi në këtë vend ngarkesat do të kalonin tranzit. Destinacioni përfundimtar i ngarkesës ishte Gjermania. Prokuroria sqaroi të martën se për këtë rast ishin ndaluar 8 persona. Arrestimet kanë filluar që në Janar dhe kanë perfunduar këtë të mërkurë. Sipas hetuesve, rolin e organizatorit e kishte nënkomisari i policisë së Fierit Festim Lelaj që garantonte edhe ruajtjen nga aksionet policore. Lelaj nga Janari i 2014 deri në Gusht 2016 ka mbajtur detyrën e oficerit në Portin e Vlorës, ndërsa nga Gusht të vitit të kaluar deri në Mars 2017 ishte oficer policie në Dibër, për të kaluar më pas në Fier.

Tv Klan