Kote: Nafta do të jepet sipas kulturave bujqësore

Janë 48 mijë fermerë të regjistruar të cilët nga viti i ardhshëm do të blejnë naftë pa taksa. Qeveria ka vendosur të heqë akcizën 37 Lekë për litër, taksën e qarkullimit 27 Lekë për litër dhe atë të karbonit, 3 Lekë për litër, ku nëse i shtohet në fund edhe tatimi mbi vlerën e shtuar mbi këto taksa, fermerët që sot e blejnë 160 Lekë litrin, vitin e ardhshëm do ta marrin me 79.6 Lekë.

“Kjo skemë kalon nëpërmjet një dore që është fermeri. Pra nuk futet Bashkia, nuk futet Drejtoria e Bujqësisë dhe nuk futen grupe të tjera. Por vetëm fermeri”.

Por si do të funksionojë skema? Zv/ministri i Bujqësisë Dhimitër Kote, sqaron se do të përllogaritet se sa naftë konsumojnë fermerët sipas kulturave që mbjellin. Në rastin e drurorëve, 1 hektar llogaritet të ketë nevojë për 200 litra naftë në vit, atëherë fermeri do të blejë vetëm 100 litra dhe 100 të tjera do t’i marrë falas.

“Do marrë vetëm 50% të vlerës së 200 litërshit do ta marri pa Lekë. 100 litra do t’i marri pa Lekë”.

Që të përfitosh nga kjo skemë duhet të kesh një NIPT të regjistruar, më pas do të deklarosh online madhësinë e tokës, bashkë me pronësinë e saj ose kontratën e qirasë si dhe kulturën që mbjell. Agjencitë bujqësore rajonale do t’i japin fermerit një dokument të gjelbër më pas, për të përfituar gjysmën e sasisë së naftës pa para, të cilën mund ta tërheqin në çdo pikë karburanti.

“Fermeri do ta marri kartën vetë, do të shkojë te karburanti, do ta marri. Në daç e jedh te mjeti i tij për shërbimet që do të bëjë, në daç me zetorin shkon atje dhe karburantin ia hedh mjetit për të bërë shërbimet e tij”.

Për të shmangur abuzimet, kontrolli i autoriteteve do të përqëndrohet te niptet që do të hapen të reja, pasi aktualisht fermerët e regjistruar njihen nga agjencitë bujqësore. Nëse do të konstatohet abuzim, atëherë fermeri do të përjashtohet për një periudhë disa vjeçare nga skema dhe përfitimi i subvencioneve.

Qeveria përllogarit që me futjen e kësaj skeme, numri i fermerëve që do të jenë formalë të arrijë 80 mijë, ndërsa efekti që do të ketë në buxhet heqja e këtyre taksave do të arrijë në 10 milion Euro në vit.

Tv Klan