Klan News ka zbardhur skemën e që përdornin 22 efektivë të Policisë së Shtetit me qëllim zhvatjen e parave nga shtetas të huaj që kryenin shkelje të qarkullimit rrugor. Përgjatë gjithë vitit 2023 ata dyshohet se përvetësuan 2.2 milionë Lekë.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mori informacion nga një shqiptar i Kosovës për gjobën që e kishte paguar dhe efektivët e kishin shënuar në procesverbal, konform rregullores që shtetasit e huaj mund ta paguajnë gjobën tek punonjësi i policisë rrugore. Nga verifikimet rezultoi se ata i kishin përvetësuar paratë duke mos i dorëzuar tek financa.

Ky rast shërbeu që shefi i seksionit të njësisë së sigurisë për autostradën Milot-Morinë, t’i kërkojë informacione Drejtorisë së Qarkullimit Rrugor dhe sektorit të Financës në Drejtorinë e Përgjithshme të Policisë së Shtetit, pasi 160 shtetas të huaj rezultonin debitorë. Shumica e tyre, shqiptarë të Kosovës, të cilët ishin ndëshkuar nga 20 deri në 50 mijë Lekë të reja.

Një prej efektivëve kryesorë, i përfshirë në skemë ishte Gramoz Dafku, i cili në atë kohë ishte shef i Seksionit të Qarkullimit për Rrugën e Kombit. AMP ka mundur të sekuestrojë procesverbale të gjobave dhe materiale të tjera në shërbim të dokumentimit të veprës penale.

Për 22 efektivët e policisë Gjykata e Kukësit pranoi kërkesën e prokurorisë së këtij qarku për të caktuar masë sigurie ndaj tyre me akuzat e vjedhjes duke shpërdoruar detyrën dhe shpërdorim detyre.

Për 6 punonjës policie u caktua masa arrest me burg, për 4 arrest në shtëpi dhe 12 të tjerë detyrim paraqitje. Masat u ekzekutuan përveç njërit prej tyre i cili është shpallur në kërkim.

Klan News