Thirrjet e opozitës për një valë protestash në muajin Janar e kanë detyruar ambasadorin amerikan, Donald Lu të ngjitet në zyrën e Lulzim Bashës.

Ka qënë ambasadori amerikan ai i cili ka kërkuar takimin me kreun e demokratëve, në zyrën e të cilit qëndroi për afro një orë.

Zgjedhja e Kryeprokurores së përkohshme ka qenë në qendër të takimit, ku siç njofton zyra e shtypit pranë selisë blu i ka përcjellë ambasadorit Lu kundërshtimin e prerë të Partisë Demokratike për zgjedhjen antikushtetuese të një Prokurori të Përgjithshëm të përkohshëm.

Sipas kreut të demokratëve moskrijimi i Këshillit të Lartë të Prokurorisë, uzurpimi i kompetencave të KLP-së nga parlamenti, zgjedhja e një Prokurori të Përgjithshëm me shumicë të thjeshtë, zgjedhja e prokurores pa kaluar vetingun, janë puç antikushtetues i cili ka futur në krizë sistemin e drejtësisë, ka shkatërruar procesin politik në vend dhe po prodhon një krizë destablizuese për vendin.

Të gjitha këto veprime thuhet në njoftim kanë qenë të paramenduara dhe të planifikuara nga Kryeministri Rama për të zgjedhur një Kryeprokuror që kontrollohet plotësisht prej tij, me qëllim shkatërrimin e hetimeve për dosjet kriminale të Saimir Tahirit, Vangjush Dakos dhe politikanëve të tjerë të lidhur direkt me vetë Ramën.

Sipas Bashës, interesat e shqiptarëve dhe të SHBA shërbehen vetëm duke dënuar kthimin e Shqipërisë në një vend të drogës dhe krimit, duke mos toleruar lidhjet e qeveritarëve me drogën dhe krimin dhe duke kërkuar nxjerrjen para drejtësisë të tyre.

Basha, thuhet në njoftim, ka siguruar ambasadorin Lu se në përputhje me parimet më themelore të demokracisë amerikane, opozita dhe qytetarët shqiptarë do të qëndrojnë me të gjitha mjetet dhe format demokratike në mbrojtje të Kushtetutës dhe demokracisë dhe kundër kapjes së drejtësisë nga Edi Rama, klanet e drogës dhe grupet kriminale që bashkëqeverisin me të.

Takimi mes Bashës e Lu vjen në një situatë të ndezur politike, ku ambasada amerikane dënoi dhunën në protestë si dhe tymueset e hedhura nga deputetët e opozitës gjatë seancës plenare ku u votua Kryeprokurorja e përkohshme.

Tv Klan