Meta takon opozitën jashtë parlamentare

Në takimin që aleatët e opozitës zhvilluan për afro 90 minuta në Presidencë, u njohën nga kreu i shtetit Ilir Meta me prova që sipas Presidentit, faktojnë ndërhyrjen flagrante në procesin e emërimit të gjyqtarëve në Gjykatën Kushtetuese dhe të shkeljes së Kushtetutës. Këtë qëndrim e konfirmoi pas takimit kreu i demokratëve Lulzim Basha.

“Këto prova dhe fakte tronditëse vërtetojnë se qëllimi i vetëm i këtij kryeministri dhe kësaj qeverie është jo zbatimi i reformës në drejtësi, por kapja e institucioneve të drejtësisë dhe, në veçanti, kapja e Gjykatës Kushtetuese. Partia Demokratike dhe aleatët tanë e kanë konsideruar këtë prej fillimit një grusht kushtetues, por, përtej kësaj, edhe një provë më shumë se me këtë qeveri reforma në drejtësi është e rrezikuar, drejtësia e pavarur që nuk mbron, por ndëshkon politikanët e korruptuar dhe të lidhur me krimin, mbetet një iluzion. Partia Demokratike dhe opozita e bashkuar qëndrojnë për një reformë në drejtësi sipas Kushtetutës. Ne kërkojmë vënien në funksionim të Gjykatës Kushtetuese, të Gjykatës së Lartë, të SPAK dhe BKH –së sipas Kushtetutës dhe jo sipas planeve, anktheve dhe problemeve korruptive të qeverisjes aktuale.

Kriza politike dhe Reforma Zgjedhore ishte një tjetër çështje e diskutuar në Presidencë. Basha konfirmoi angazhimin e opozitës dhe akuzoi Kryeministrin se ka refuzuar dialogun dhe ndërmjetësimin ndërkombëtar.

“Prej më shumë se 2 muajsh opozita ka shprehur gatishmërinë e saj për të kontribuar përmes një dialogu transparent për një reformë zgjedhore dhe zbatimin e kësaj reforme, siç e kërkon Bundestagu. Prej më shumë se 4 muajsh Edi Rama ka refuzuar dialogun dhe ndërmjetësimin ndërkombëtar, të ofruar, të paktën, në 4 raste nga institucionet ndërkombëtare, në tentativë për të mbuluar krizën e thellë politike, ku ndodhet vendi. Shtyrja e afatit të komisionit të Reformës Zgjedhore është një tjetër përpjekje për t’i hedhur hi syve shqiptarëve dhe faktorit ndërkombëtar. Opozita e Bashkuar as nuk ka kërkuar, as nuk kërkon dhe as nuk mbështet shtyrjen për në kalendar greke të reformës zgjedhore”.

Për daljen nga kriza, zgjidhja e vetme sipas opozitës, janë zgjedhjet e parakohshme dhe mbajtja e atyre parlamentare e lokale në një ditë.

“Nuk ka dhe nuk mund të ketë asnjë alibi për të vonuar zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet kushtetuese vendore në të njëjtën ditë si rrugëdalja e vetme nga kriza.”

Vec opozitës joparlamentare, Presidenti Meta takoi pasdite edhe ish kreun e shtetit Rexhep Mejdani. Në një postim në Facebook, Meta thekson se gjatë bisedës u diskutua për zhvillimet e fundit dhe rëndësinë e zgjidhjes së krizës së rëndë politike dhe institucionale.

Tv Klan