Policia shqiptare ka zbardhur trafikun e drogës të mbetur në tentativë një ditë më parë në grykëderdhjen e Vjosës. Tvklan.al ka mësuar se trafikantët që tentuan të transportonin kanabis me gomone nga brigjet shqiptare drejt Italisë, janë identifikuar. Uniformat blu kanë mundur të zbulojnë identitetin e tyre, ndërsa burimet thonë se madje kanë rënë edhe në gjurmët e tyre.

Rreth 1 ton lëndë narkotike kanabis sativa u sekuestrua nga policia shqiptare në bashkëpunim me atë italiane. Në orët e para të 22 Janarit, një skaf i nisur nga brigjet shqiptare u pikas në det nga Policia Kufitare e Vlorës. Ishte ora rreth 03:30 kur u zhvillua operacioni në det të hapur, në bashkëpunim edhe me Guarda di Finanza.

Gjatë ndjekjes, trafikantët manovruan në Grykëderdhjen e Vjosës ku dhe braktisën skafin me drogë. Më pas u arratisën në këmbë në drejtim të pyllit. Mirëpo, ata janë mundur që të identifikohen nga ana e policisë. Emrat e tyre nuk bëhen të ditur për shkak të hetimit, por janë shpallur në kërkim policor.

Në operacionin e një dite më parë morën pjesë edhe FNSH, si dhe Policitë Vendore të Fierit dhe të Vlorës. Përveç mjetit lundrues dhe sasisë rreth 1 ton të kanabisit, uniformat blu sekuestruan edhe dy makina, që besohet se kanë shërbyer për të transportuar lëndën narkotike drejt skafit, e që më pas do të trafikohej në Itali.

/tvklan.al