mbytjaDy shtetasit shqiptarë humbën jetën në tentativë për të arritur brigjet britanike.

Ky është përfundimi i një raporti hetimor të autoriteteve policore, i prezantuar në një seancë dëgjimore në këshillin e rajonit Essex.

Bëhet fjalë për vdekjen e 24-vjeçarit Artur Doda dhe 27-vjeçarit Leonard Isufaj. Ata humbën jetën mbrëmjen e 26 shkurt të vitit të shkuar, pasi u hodhën në det nga kuverta e tragetit “Stena Britanika”.

Ata kishin hyrë ilegalisht në këtë vend disa orë më herët, të fshehur në një kamion. Sipas dëshmisë së mjekes ligjore, Doda ka gjetur vdekjen e menjëhershme pasi ka rënë në kontakt me helikat e anijes. Ndërsa, Isufaj është mbytur për shkak të dallgëve dhe temperaturës së ujit gjatë natës.

Trupat e viktimave u gjetën disa javë më vonë, pasi në operacionin e kërkimit të tyre ishin angazhuar 21 mjete lundruese dhe 2 helikopterë.

Dy të rinjtë shqiptarë ishin pjesë e një grupi emigrantësh të paligjshëm, të cilët po deportoheshin nga Britania për në Holandë.

Ata nuk shoqëroheshin nga asnjë polic në tragetin “Stena Britanika” i nisur nga porti i Haruikut, siç dëshmuan në seancë dëgjimore edhe zyrtarë të Agjencisë së Kufirit.

Një i afërm i një prej viktimave tha për media vendase, se çështja nxjerr në pah edhe një herë dëshpërimin e emigrantëve, por edhe nevojën për adresimin e fenomenit.

Tv Klan