Një muaj pas vendimit të Apelit të Krimeve të Rënda për të dënuar me 25 vite Dritan Dajtin është zbardhur vendimi që shpëtoi vrasësin e katër policëve nga burgimi i përjetshëm. Në materialin e gjatë rreth 270 faqe shpjegohen arsyet pse 3 nga 5 gjyqtarët vendosën të pranojnë gjykimin e shkurtuar për autorin e masakrës së vitit 2009, ku mbetën të vrarë efektivët e forcës operacionale Fatos Xhani, Altin Dizdari, Sajmir Duçkollari, dhe Kastriot Feskaj.

Sipas argumentit të gjyqtarëve, Dritan Dajtit gjatë procesit gjyqësor të zhvilluar në Gjykatën e Krimeve të Rënda i është privuar e drejta ligjore për të përfituar nga gjykimi i shkurtuar, një e drejtë që sanksionohet edhe Gjykata Europiane e të Drejtave të Njeriut. Ata sqarojnë se vendimi ka qenë i pabazuar në prova dhe në ligj, pasi në kohën kur ka ndodhur vrasja e katër policëve ligji i jepte të drejtën të pandehurit të kërkonte dhe të përfitonte nga gjykimi i shkurtuar. Ky është argumenti kryesor që gjyqtarët, Aleks Nikolli, Skendër Damini dhe Petrit Aliaj u bazuan për të prishur vendimin e Shkallës së Parë, e cila e dënoi me burgim të përjetshëm Dajtit.

Të tre këta gjyqtarë janë nën hetim nga Prokuroia për akuzën e korrupsionit. Në banesat e tyre u zhvilluan kontrolle ku u gjetën para dhe municione luftarake. Kundër pranimit të gjykimit të shkurtuar ishin gjyqtarët e tjerë, Fuat Vjerdha dhe Lindita Hoxha.

Pas zbardhjes së vendimit Prokuroria e Krimeve të Rënda ka 15 ditë kohë për të dorëzuar rekursin në Gjykatën e Lartë.

Tv Klan