Zbardhet vendimi për ish-ministrin Saimir Tahiri

Zbardhet vendimi për ish-ministrin Saimir Tahiri

15:39 28/10/2019

“Akuzat për bashkëpunim me Habilajt, vetëm indicie”

Plot 39 ditë kohë, i janë dashur Gjykatës së Krimeve të Rënda, për të zbardhur vendimin e dënimit të ish-ministrit të brendshem, Saimir Tahiri. Në një material prej 140 faqesh, togat e zeza kanë argumentuar arsyet e rrezimit te akuzave të prokurorisë dhe pse ish- ministri u dënua për shpërdorim detyre.

Akuza më e rëndë, e ngritur nga Prokuroria është ajo e trafikimit të lëndëve narkotike në bashkëpunim me grupin e Habilajve. Por për gjykatën, ajo nuk provohet.

Për të gjitha sa më sipër, provat e paraqitura nga prokuroria në fashikujt e gjykimit janë indicje, që nuk plotësojnë të gjitha kushtet e përmendura më lart për të provuar ekzistencën e faktit (neni 152 pargarafi i dytë i K.Pr.Penale) dhe deklarime të prejardhura (të shtetasve Antonio Riela dhe Brunulda Alikaj), pa fuqi të plotë provuese ndaj të pandehurve në këtë gjykim, të cilat në tërësinë e tyre ngrenë dyshime të arsyeshme në ngarkim të të pandehurve, por nuk arrijnë ta kalojnë këtë cak, nuk arrijnë të provojnë përtej çdo dyshimi të arsyeshëm, marrëveshjen e të pandehurve në procedim të lidhur, Moisi Habilaj, Florian Habilaj, Aabaudin Çelaj, Meridian Sulaj, Sokol Bode, Gjergj Kohila etj.. për të kryer veprat penale të trafikimit të narkotikëvë, as identifikojnë e të provojnë veprimet konkrete të kryera me dashje nga të pandehurit Saimir Tahiri dhe Jaeld Çela, në kuadër të ndonjë marëveshjeje për të ndihmuar grupin kriminal të Moisi Habilaj, në ekzekutimin e episodeve konkrete të trafikimit, në të cilat është sekustruar lëndë narkotike. Dyshimet në këtë drejtim çmohen në favor të të pandehurve”.

Sipas vendimit të gjykatës, ish-ministri Tahiri është përgjegjës për përhapjen e kriminalitetit në fushën e narkotikëvë.

Lidhjet me të pandehurin, Saimir Tahiri nuk ishin të panjohura për anëtarët e grupit kriminal të të pandehurit në procedim të lidhur, Moisi Habilja dhe për mjaft punonjës të policisë së shtetit në Vlorë, pasi ishin prezantuar nga vetë, Moisi Habilaj dhe konfirmoheshin edhe nga kontaktete direkte ose indirekte me të dy të pandehurit. Lidhje të tilla me Ministrin e Brendshëm, por edhe me drejtorin e policisë vendore ndikojnë në përforcimin e anës subjektive te anëtarët e grupit kriminal, për të vijuar aktivitetin kriminal”.

Ndërkohë sipas gjykatës, edhe për të pandehurin tjetër në këtë proces Jeld Çela paraqitet e njëjta situatë. Ish-drejtori i policisë së Vlorës, sipas gjykatës ka vepruar vetëm pas denoncimit të parcelave me drogë nga SHISH apo Guarda di Finanza.

Çela u dënua me 3.4 vite burg dhe vijon arratinë prej gati 2 vitesh. Gjyqtarët Flora Hajredinaj, Ardit Mustafaj dhe Irena Gjoka dënuan ish-minstrin me 3 vite shërbim prove dhe 3 vite, pa të drejtë për të ushtruar funksione publike. Pas këtij vendimi, ish-ministri i Brendshëm dhe Prokuroria zhvendosën betejën në Apelin e Krimeve të Rënda. Ndërsa, Prokuroria u qëndron akuzave të saj dhe kërkon dënimin me 12 vite burg, Tahiri kërkon pafajësi.

Tv Klan




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi