Policia e Tiranës ka mundur të identifikojë autorin e vrasjes së 27-vjeçarit Mehmet Qema, ngjarje që ndodhi në Tiranë mbrëmjen e së hënës në lagjen “5 Maj”.

Autori i dyshuar i vrasjes është Marjus Dema 28 vjeç, i cili u arratis nga vendngjarja pas krimit. Ai është shpallur në kërkim për veprat penale të vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Ndërkohë në kërkim janë shpallur edhe 5 persona të tjerë, të cilët gjithashtu janë larguar pas krimit dhe akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës. Ata janë E.P. 27 vjeç, B.H. 28 vjeç, B. A. 23 vjeç, F. M. 29 vjeç dhe Xh. K. 19 vjeç.

Zbardhja e ngjarjes u bë përmes kamerave të sigurisë së lokalit, aty ku ndodhi dhe vrasja. Viktima Mehmet Qema mbeti fillimisht i plagosur, por ndërroi jetë në spital.

Sipas informacioneve nga grupi hetimor, personat e shpallur në kërkim dhe viktima ishin së bashku në një tavolinë pasi kanë qenë grup shoqëror.

Dyshohet që arma të ketë bërë shkrepje të pavullnetshme duke i marrë jetën 27-vjeçarit. Por nuk përjashtohen as pista të tjera të cilat do të zbardhen nga hetimet në vijim.

Momenti para vrasjes së 27-vjeçarit, autori dhe viktima në një tavolinë

Ky është momenti kur 27-vjeçari Mehmet Qema dhe autori kanë qenë së bashku në tavolinën e një lokali në lagjen “5 Maj” në Tiranë përpara se të ndodhte vrasja. Ata kanë qenë miq me njëri-tjetrin dhe ishin në shoqërinë edhe të disa personave të tjera.

Sikurse duket në këtë foto, personi që qëndron në këmbë në anë të majtë të fotos është Marjus Dema 28 vjeç, autori i dyshuar i vrasjes. Ndërsa pranë tij qëndron viktima Mehmet Qema.

Dinamika e ngjarjes u zbardh nga Policia e Tiranës falë kamerave të sigurisë së lokalit, nga prej është shkëputur edhe kjo foto sekuencë.

Sikurse duket në pamje, autori i dyshuar mban në dorë një pistoletë, me të cilën mendohet se është kryer krimi. Deri tani vrasja e 27-vjeçarit dyshohet të ketë ndodhur aksidentalisht. Por autori, i cili është arratisur dhe është shpallur në kërkim, akuzohet për vrasje me dashje dhe armëmbajtje pa leje.

Në kërkim janë shpallur edhe 5 persona të tjerë, të cilët kanë qenë pjesë e së njëjtës tavolinë. Ata janë E.P. 27 vjeç, B.H. 28 vjeç, B. A. 23 vjeç, F. M. 29 vjeç dhe Xh. K. 19 vjeç, të cilët akuzohen për moskallëzim krimi dhe veprime që pengojnë zbulimin e së vërtetës.  /tvklan.al