Policia e Tiranës vuri në pranga mbrëmjen e së enjtes Gjergj Cukalin, autorin e dyshuar të vrasejs së Arben Bilalit katër muaj më parë në Selitë. 40-vjeçari u arrestua pranë zonës së Vasil Shantos nga forcat operacionale si autor i vrasjes së Arben Bilali pranë banesës së tij në zonën e Selitës në kryeqytet.

Provat e gjetura në mjetin tip “Mercedes-Benz” që u përdor për vrasjen e Arben Bilalit çuan policinë në ndërtimin e një profili gjenetik që përputhej me atë të Gjergj Cukalit. Për hetuesit ngelet ende i paqartë motivi që çoi 40-vjeçarin në ekzekutimin e Bilalit mesditën e 30 Janarit, ndërsa hetimet janë përqëdnruar në dy pista kryesore.

Ka dyshime se ekzekutimi mafioz i 50-vjeçarit mund të jetë kryer për prishjen e pazareve të drogës, ndërsa një pistë tjetër është që vrasja mund të jetë porositur nga persona të tjerë. Hetuesit dyshojnë se në realizimin e vrasjes së 50-vjeçarit, Cukali është ndihmuar të paktën edhe nga një person tjetër që ndodhej së bashku me të në mjet ditën e ngjarjes. Më herët për këtë vrasje, me akuzën e veprimeve që pengojnë zbulimin e së vërtetës është arrestuar edhe Arben Tirana.

Gjergj Cukali është një emër i njohur për drejtësinë shqiptare pasi është dënuar më herët për trafik droge dhe rrëmbim personi. Për hërë të fundit 40-vjeçari u përball me policinë më 13 Prill të 2018-ës pasi shkeli masën e sigurisë “arrest në shtepi ”. Ai u arrestua në Korrik të 2016-ës pasi akuzohej se drejtonte një grup që merrej me shpërndarjen e drogërave të forta në kryeqytet.

Tv Klan