Në kërkim njëri prej ekzekutorëve

Zbardhet vrasja e 62-vjeçarit Bujar Çela mëngjesin e 17 Shtatorit në Bradashesh të Elbasanit.

Tre javë nga ekzekutimi i vëllait i të shumëkërkuarit Talo Çela, autoritetet policore kanë mundur të identifikojnë njërin prej autorëve, që ka qëlluar ndaj viktimës.

Prokuroria dhe Policia pritet që të japin më shumë detaje rreth hetimeve që çuan në zbardhjen e ngjarjes.

62-vjeçari Bujar Çela sapo ishte ulur në një lokal duke pirë kafe, kur 3 persona të maskuar qëlluan me breshëri arme duke e lënë atë të vdekur në vend.

Bujar Çela dyshohet se u vra si mesazh hakmarrjeje për vëllain e tij, Talo Çelën. 62-vjeçari nuk kishte precedent penal dhe punonte taksist pa licencë, ndërsa familjarët e fqinjët u shprehën se nuk kishte konflikt me asnjë person.

Sa i përket Talo Çelës, ai është njeriu më i kërkuar për momentin nga policia, për kapjen e të cilit është vendosur edhe një shpërblim prej 10 milionë Lekë të vjetra. Ai është në kërkim si një nga anëtarët e bandës së supergrabitjeve të parave në aeroportin e Rinasit, ndërsa akuzohet se qëndron pas disa vrasjeve.

Më 13 Korrik 2020, Talo Çela dha nga arratia një intervistë ekskluzive për emisionin “Uniko” nga gazetari Spartak Koka në televizionin Klan Plus. Në këtë intervistë, Talo Çela mohonte të gjitha akuzat e policisë për përfshirje në grabitjet e Rinasit dhe vrasjet e ndodhur në aksin Durrës-Elbasan-Peqin.

Foto nga vendi ku i vra Bujar Çela

Vrasja e Bujar Çelës erdhi vetëm dy pas një tjetër ekzekutimi mafioz, atë të Klevis Kapllanit. 33-vjeçari, i cili u vra brenda automjetit të tij, dyshohet se u nxorr në pritë për shkak të ngjarjeve kriminale në Elbasan.

Ndërsa gjatë muajit Korrik, ky qytet u trondit nga dy ngjarje mafioze, vrasja e Emiljano Ramazanit mesditën e 20 Korrikut dhe 9 ditë më vonë ajo e Regis Runajt. Për këto dy ekzekutime, në Shtator, policia njoftoi arrestimin e Erion Alibej, i dyshuar si porositës dhe organizator i tyre.

Më herët gjatë kësaj jave, Prokurori i Përgjithshëm, Olsian Çela lëshoi alarmin se krimi i organizuar po kontrollon qytetin e Elbasanit. Ai tha se ngjarjet e fundit kriminale janë vetëm maja e ajsbergut të asaj që po ndodh në këtë qytet dhe paralajmëroi se asnjë grup kriminal nuk mund të jetë më i fortë se shteti. /tvklan.al