Është i dyshuar edhe për një tjetër vrasje të dyfishtë në Shkodër

Ky që shihni në këtë foto është Ibrahim Lici. Vetëm 24 orë vrasjes së Endri Mustafës në Shkodër, policia e ka shpallur atë në kërkim, pasi dyshohet si autor i krimit. Policia arrestoi Ergys Malja, një 15-vjeçar që dyshohet se ka nxjerrë nga shtëpia Mustafën dhe Edison Arazi, 26 vjeç, si person që ka dijeni për ngjarjen.

Por babai i të shpallurit në kërkim, Mustafa Lici, ish-anëtar i Këshillit Bashkiak të Shkodrës, ka mohuar çdo lidhje të djalit të tij. Ai tha para mediave se 15-vjeçari i arrestuar, që ka përmendur emrin e Ibrahim Licit si autor, po përdoret nga policia dhe nga dy fise, Bajri e Bilali.

“Ky është një blof i përgatitur nga policia për të cilin mendoj se do ta realizojnë duke gënjyer një fëmijë duke i thënë që ti do të kesh mbrojtjen tonë dhe do të ikësh jashtë dhe merr edhe këto pare. Janë që të dy këta të rinj që punojnë te Esmer Bilalajt dhe te Bajrat. Këtë mbështetje e kanë nga policia. Familja e tyre e di kush ia ka vrarë dhe e ka nxjerrë në pritë”.

Me fisin Bilali, Ibrahim Lici është në hasmëri. Ai ka qenë i shpallur në kërkim  për vrasjen e dy vëllezërve Ibrahim dhe Astrit Bilali në Shkodër, në vitin 2019. Këta të fundit ishin përkatësisht babai dhe xhaxhai i Asmer Bilalit, ish-kampionit të boksit të arrestuar si pjesë e grupit Bajri në Shkodër.

Por edhe familja e Endrit Mustafës beson se Lici nuk është vrasësi i tij. Ingrid Mustafa, bashkëshortja e viktimës, shprehet se Endriti doli nga banesa rreth orës 22:00 të darkës, pasi 15-vjeçari Malja i kishte shkruar Endri Mustafës një mesazh ku i kërkonte të dilte nga shtëpia.

“Unë kam dhënë deklaratat e mia dhe në polici dhe unë kam thënë që këta nuk kanë asnjë lidhje me burrin tim. Habitem si e kanë nxjerrë se nuk kanë lidhje dhe jemi 100 të sigurt që nuk ka ndodh prej djalit të tij. Ishte me këtë komshiun, se kishte ardhur që prej pasdites, e kërkonte vazhdimisht. Burri është shpreh i ka thënë nuk po të çoj mesazh, po kur të çoj fotografi të kalit ti del, dikush qëndron pas tij. Ai nuk ka lidhje me Licët, ky nuk pas arsye me e vrarë”. 

Bashkëshortja thotë se është telefonuar nga fisi Bajri dhe se ata i kanë thënë që nuk kanë lidhje me vrasjen. Viktima është një person i njohur për policinë. Ai është dënuar më parë për plagosje dhe për grabitje, në një ngjarje të vitit 2016, ku u përfshi edhe Astrit Bilali, i cili dyshohet se është vrarë nga Ibrahim Lici.

Tv Klan