Policia: U ngatërrua objektivi, synim ishte Geron Hasanbelliu, me porosi të Kasandër Nogës

Drejtori i policisë së Tiranës, Tonin Vocaj, në një konferencë për shtyp, deklaroi se është zbardhur vrasja e Erion Çelës dhe plagosja e katër të tjerëve, ngjarje e ndodhur në 4 janar të 2022 në Don Bosko. Kryepolici i Tiranës, vijoi në të njëjtën linjë me informacionet e siguruara më herët nga Prokuroria, ku u arrit në përfundimin se autorët ngatërruan objektiv.

Porositës i krimit rezulton Kasandër Noga, i cili i kishte ofruar një shumë parash Kevin Sucit për ekzekutimin e Geron Hasanbellit. Ai ndodhet në burg në Belgjikë dhe ekzekutimi i masës së sigurimit personal ndaj tij do të bëhet nëpërmjet letërporosisë.

I përfshirë në ngjarje rezulton edhe Roland Ahmetsulaj, tashmë i arrestuar. Ky i fundit ka një njësi shërbimi që merret me riparim automjetesh, shërbim karrotreci, shit-blerje automjetesh. Nga analiza e të dhënave telefonike rezulton se Ahmetsulaj, ditën e ngjarjes ka qenë në afërsi të vendit të ngjarjes, dhe ka komunikuar me Kevin Suçi. Për këtë ngjarje i vetmi që nuk është arrestuar është Kevin Suci, i cili është bashkëpunëtor i ngushtë i Kasandër Nogës.

Autoritetet i komunikuan masën arrest me burg Roland Ahmetsulajt, Indrit dhe Gentjan Beqirajt si dhe Ilirjan Feçit, të cilët aktualisht ndodhen në ambientet e paraburgimit të arrestuar më herët.

Klan News