Tre persona kanë përfunduar në pranga, ndërsa një tjetër është shpallur në kërkim për vrasjen e Jurgen Kurtit. Në një njoftim për mediat këtë të martë, Policia e Tiranës thotë se ka mundur të zbardhë vrasjen e 26-vjeçarit, i cili u ekzekutua me armë mbrëmjen e 18 Marsit, në rrugën “Zef Jubani” në kryeqytet.

Tre të arrestuarit akuzohen si bashkëpunëtorë në vrasjen e Kurtit. Ata janë Elsi Levendi, 21 vjeç, lindur në Athinë/Greqi dhe banues në Tiranë, Alesio Berberi, 33 vjeç, lindur dhe banues në Patos, Fier, si dhe Olsi Qalliaj, 22 vjeç, lindur në Fier dhe banues në Patos.

Gjatë kontrollit, policia sekuestroi një automjet, që u ka shërbyer autorëve për t’u larguar nga vendi i ngjarjes, si dhe dy makina të tjera luksoze. Gjithashtu u gjet dhe një armë zjarri “Pistoletë TT”, fishekë luftarakë, një sasi prej 2470 Euro e Lekë shqiptare, 13 aparate celular, si dhe një sasi e vogël lënde narkotike.

Policia thotë në njoftimin e saj për mediat se

“veprimet hetimore janë në vazhdim e sipër, për të bërë të mundur dokumentimin e plotë me prova ligjore të personave të tjerë të përfshirë në këtë ngjarje, si dhe për dokumentimin e motiveve të kësaj ngjarje. Për arsye hetimore nuk bëjmë me dije të dhëna të tjera pasi cënojnë hetimin”.

Burime të Tv Klan thanë se shkak i vrasjes janë bërë konfliktet e vjetra ku ishte përfshirë viktima Jurgen Kurti.

Sa i përket personit të shpallur në kërkim, gjeneralitetet e tij nuk bëhen të ditura. Të arrestuarit akuzohen për vrasje me paramendim e kryer në bashkëpunim, prodhim dhe mbajtje pa leje të armëve luftarake dhe prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike.

Jurgen Kurti u ekzekutua me armë mbrëmjen e 18 Marsit, poshtë banesës së tij në Tiranë. Dyshimet janë se vrasja u krye nga persona të paguar, megjithatë pritet që kjo të sqarohet zyrtarisht nga policia gjatë ditëve në vijim.

Kurti ishte një emër i njohur për policinë. Në vitin 2016, Jurgen Kurti u arrestua si i përfshirë në vrasjen e babait, por më pas u lirua pasi krimin e mori përsipër daja i tij.

Një vit më vonë, në Prill të 2017-ës Kurti u përfshi në një ngjarje tjetër të rëndë, këtë herë në qytetin e Durrësit. Konflikti nisi për mosdhënien e pagesës së qirasë ndaj 58-vjeçarit Agim Arapi që përfundoi me vdekjen e këtij të fundit. Edhe për këtë rast ai u hetua si i përfshirë, por më pas u dënua vetëm vëllai i vjehrrit të tij, për vrasje nga pakujdesia. 

/tvklan.al