Konflikti për pronën ku u ekzekutuan viktimat

Ky është Aleksandër Perdoda, autor i krimit ku mbetën të vrarë dy persona në fshatin Lalm Lukaj të Lezhës. Policia njoftoi arrestimin, ndërsa bën me dije se e ka izoluar tashmë 40-vjeçarin në qelitë e komisariatit të Lezhës.

Shkak për vrasjen e dyfishtë të Lezhës është një sipërfaqe toke, pikërisht në vendin ku u gjetën dy trupat e viktimave, Kol Murranit dhe mikut të tij, Preng Simonit.

Për pronën, kishte një konflikt të hershëm mes njërit prej viktimave, Kol Murranit dhe vrasësit të dyshuar.

Pas arrestimit të Perdodës, është shpallur në kërkim edhe vëllai i tij. Ky i fundit mendohet se ka ndihmuar autorin e krimit të largohet nga vendi i ngjarjes.

Por në njoftimin që dha për mediat, policia tha se nuk është gjetur ende arma me të cilën u krye vrasja.

Trupat e dy të vrarëve u gjetën të hënën pasdite nga djali i një prej viktimave, i cili tentonte të fliste në telefon me të atin dhe për disa orë nuk kishte përgjigje. Ai udhëtoi drejt fshatit Lalm Lukaj dhe më pas njoftoi policinë. 

Kol Murrani kishte numrin më të madh të plumbave në trup, ç’ka shtoi dyshimet se ai kishte qene shënjestra e atentatit.

Tv Klan