Astrit dhe Brahim Bilali u vranë në një atentat të mirëorganizuar në të cilin morën pjesë 4 persona. Dy prej tyre janë tashmë pas hekurave, ndërsa dy të tjerë janë shpallur në kërkim.

Policia e Shkodrës ka mundur kështu të zbardhë ngjarjen e rëndë të 30 Marsit, ku dy vëllezërit Bilali u ekzekutuan me breshëri plumbash pranë banesës së tyre, në lagjen Kiras të Shkodrës.

Në një njoftim për mediat këtë të premte, policia thotë së pranga përfundoi 29-vjeçari Arsen Stojku dhe 23-vjeçari Mislim Rama, të dy nga fshati Mjedë i Vaut të Dejës.

Ndërsa në kërkim u shpall i dyshuari kryesor i vrasjes, 26-vjeçari Ibrahim Lici, si dhe 29-vjeçari D. B. Operacioni për gjetjen dhe kapjen e tyre vijon.

“Pas hetimeve intensive të kryera në drejtimin e Prokurorisë Pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Shkodër, rezulton se shtetasit e lartpërmendur kanë planifikuar, organizuar dhe kryer në bashkëpunim këtë vrasje. Si rezultat  i punës së vazhdueshme intensive me metodat speciale të hetimit, nga grupi i posaçëm hetimor, u bë sigurimi i provave materiale dhe shkencore, të cilat çuan në dokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje”

, thuhet në njoftimin e policisë.

Autoritetet sekuestruan gjithashtu një makinë dhe 3 telefona celularë, të cilët janë përdorur nga autorët gjatë kryerjes së veprimeve të tyre. Policia thotë se puna për hedhjen dritë mbi motivin e kësaj ngjarjeje dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë vijon.

Dyshohet se motiv i ngjarjes janë konfliktet e vjetra mes fiseve Lici dhe Bajri në këtë qytet. Njëri nga viktimat, Brahim Bilali, një ish-kampion i hipizmit ishte kryetar i Shoqatës 2 Prilli. Ndërsa Astrit Bilali ishte babai i Astmer Bilali, i arrestuar si pjesë e grupit “Bajri” në Shkodër.

Astrit Bilali ishte një biznesmen i njohur në Shkodër pasi zotëronte një resort hipizmi në zonën e Livadheve. Pikërisht në këtë resort, në 1 Shtator 2018 u vra në një atentat Arjan Ferracaku, i cili ndodhej në shoqërinë e Astmer Bilalit, që dyshohet se ishte shënjestra e atentatit.

/tvklan.al