4 ditë pas vrasjes së 25-vjeçarit Xhuljan Bullari në Babicë të Vlorë, policia ka mundur të zbardhë këtë krim dhe ka arrestuar autorin e dyshuar.

Në pranga ka rënë Bledar Selmanaj 39 vjeç nga Vlora, person me precedent të mëparshëm penal dhe i dënuar disa herë në fushën e krimeve kundër pronës.

Bledar Selmanaj u arrestua në flagrancë në zonën e Bllokut në Tiranë, e më pas u transportua drejt Vlorës. Gjatë kontrollit fizik, Selmanajt iu sekuestrua një pistoletë me 10 fishekë, 1 celular dhe një shumë parash.

Nga hetimet e deritanishme ka rezultuar se pasi kishte vrarë 25-vjeçarin Xhuljan Bullari, Bledar Selmani kishte groposur në oborrin e shtëpisë së tij në Vlorë armën e krimit.

Policia mundi ta gjente këtë pistoletë të groposur në oborrin e banesës së tij në lagjen “15 Tetori” në Vlorë, së bashku me 9 fishekë. Po kështu u sekuestruan disa veshje të cilat dyshohen se janë përdorur nga autori gjatë vrasjes, si dhe 1 aparat celular.  

Policia thotë se autori i dyshuar Bledar Selmanaj kishte njohje të mëparshme me viktimën Xhuljan Bullari.  Hetuesit nuk japin një motiv të qartë për krimin, por në njoftimin e policisë thuhet se dyshohet që i riu të jetë vrarë për motive banale.

Ndërkohë, po vijon puna për dokumentimin e plotë dhe vënien para përgjegjësisë ligjore të personave të tjerë që mund të jenë përfshirë në këtë ngjarje. Bledar Selmanaj akuzohet për vrasje me paramendim dhe armëmbajtje pa leje.

DYSHIMET PËRSE NDODHI VRASJA

Gazetari i Klan News, Besar Bajraktari ka mësuar se ngjarja mund të ketë ndodhur pas konflikteve për çështje droge. Viktima Xhuljan Bullari dhe Bledar Selmanaj, të cilët kishin njohje të mëparshme, ishin nisur nga Tirana drejt Vlorës. Hetuesit kanë dyshime se aty do të merreshin me çështje që kanë të bëjnë me lëndët narkotike. Klan News ka mësuar nga burime policore se viktima i kishte borxh një shumë parash autorit të dyshuar. Ky borxh ka bërë që konflikti mes tyre të thellohet. Gjatë debatit mes tyre brenda makinës, autori e qëlloi 25-vjeçarin Bullari me pistoletë duke e lënë të vdekur në vend. Një plumb e kishte prekur në kokë. 39-vjeçari Bledar Selmanaj, i dyshuar si autor i vrasjes, është person me precedent të mëparshëm penal. Së fundmi, ai kishte dalë nga burgu në datën 5 Gusht pasi ka qenë i dënuar për trafikim të lëndëve narkotike.

SI NDODHI KRIMI  

25-vjeçari Xhuljan Bullari nga Elbasani dhe banim në Tiranë u vra mbrëmjen e 20 Gushtit. Trupi i tij u gjet të nesërmen në rrugën që lidh Babicën me Vlorën. Kanë qenë banorë të zonës të cilët konstatuan një makinë të parkuar në anë të rrugës dhe në vendin e shoferit panë viktimën.

Menjëherë lajmëruan policinë. Uniformat blu bënë rrethimin e zonës pasi mbërritën në vendngjarje dhe konstatuan se 25-vjeçari kishte një plumb në kokë që i kishte shkaktuar vdekjen. Identifikimi i viktimës u bë i mundur falë familjarëve. Makina tip Fiat me targa të Tiranës brenda së cilës u gjet viktima është në pronësi të një gruaje, por që nuk ka lidhje me ngjarje. /tvklan.al